Pesë mite mbi Turqinë

A ka qenë Turqia shtet demokratik që nga themelimi më 1923? Përse Erdoan ishte i suksesshëm që nga ardhja në pushtet më 2002? Çfarë roli ka luajtur ushtria në të kaluarën? Cilat janë veçoritë e problemit kurd? Steven A. Cook përgjigjet në «Washington Post».

Fun

27/03/2017 15:06

Turqia dhe Holanda u kapën sertë javën e kaluar – duke i dëbuar diplomatët – për shkak se zyrtarëve turq nuk iu lejua të bënin fushatë me bashkatdhetarët turq për kushtetutën e re joliberale. Turqia ngaherë ka qenë aleate e rëndësishme e Perëndimit, por pavarësisht prej lidhjeve ushtarake, politike dhe diplomatike, amerikanët nuk marrin vesh në raportet e tyre. Por ata duket se asnjëherë nuk e kanë marrë vesh se çfarë është e vërtetë dhe të mos bien kohë pas kohe në kurthin e akuzave të rrejshme. Dhe ja cilat janë pesë mitet më të mëdha.

Miti i parë: Turqia ka qenë demokraci

Është bërë tashmë shprehi të besohet se Turqia e presidentit Rexhep Taip Erdoan është shndërruar në vend autoritar. Më 2015, autori turk, Mustafa Akyol nxori dufin kundër devijimit «drejt autoritarizmit» në një shkrim autorial botuar në «New York Times». Disa muaj më vonë, studiuesi i shkencave shoqërore, Jason Brownlee shkruante në këtë gazetë për «tatëpjetën autoritare të Turqisë».

Sidoqoftë, është e vërtetë se vendi asnjëherë nuk ka qenë demokraci, ani pse vazhdimisht mbante zgjedhje të lira dhe të drejta shumëpartiake prej vitit 1946. Ndërmjet viteve 1960 dhe 1997, komanda ushtarake e ushtrisë turke rrëzoi katër prej qeverive të zgjedhura. Shtabi i përgjithshëm mbikëqyrte ndryshimet kushtetuese antidemokratike, përfshirë edhe përpjekjen kushtetuese më 1982 që më fort kishte për qëllim ta mbronte shtetin turk se të garantonte të drejtat dhe liritë civile. Më 1997, ushtria rrëzoi qeverinë e parë të zgjedhur islamike për shkak se kryeministri refuzoi të zbatonte rregullat që vinin në dyshim lirinë e shprehjes, dobësonin pavarësinë e shtypit dhe kriminalizonte mendimin ndryshe.