Pesë mësimet futbollistike për shqiptarët

Duhet ta meritosh identitetin suprem politik dhe sportiv evropian. Këtë duhet të ia dëshmosh së pari vetes, e pastaj, edhe të gjithë të tjerëve.

Opinion

07/10/2015 16:40

Çfarë ka ndodhur deri tash me Shqipërinë në futboll, në këtë fushatën për tu bërë pjesë e Kampionatit Evropian që do të mbahet vitin e ardhshëm në Francë, është një udhërrëfyes i mirë edhe për politikën shqiptare, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë.

Përvoja e parë përkon me synimin e kahmotshëm të shqiptarëve, për tu bërë pjesë e Evropës, në kuptimin e plotë të fjalës, jo vetëm si një përkatësi gjeografike, por edhe si identitet politik dhe sportiv evropian, që së fundit edhe do të formalizohet: Në sport, duke pasë gjasa të mira që më në fund të luhet në elitën e futbollit evropian, në politikë, duke u bërë shtet anëtar i Bashkimit Evropian. Kemi pësuar disfata dhe dështime aq të mëdha në të kaluarën, si në sport, ashtu edhe në politikë, saqë shpeshherë kjo ndërmarrja e jonë është diskualifikuar prej vet nesh si një ‘Mision i pamundur’. Po del që mund edhe të fitojmë: Në lojë dhe në politikë.

Përvoja e dytë, natyrisht, ndërlidhet me të parën. Për të mbërri në Evropë, si sport dhe si politikë, duhet krijuar një konsensus gjithpërfshirës, i cili për më shumë, funksionon, thuaja çdo ditë, e jo vetëm në atë hapin e parë, i cili për ne gjithmonë ka një domethënie historike, njëlloj si hapi i mbramë. Çka ndodhë në mes këtyre dy hapave, rëndom, nuk na intereson shumë neve si shoqëri shqiptare, ndërsa e gjithë puna kryhet pikërisht në këta hapat apo veprimet e ndërmjeme. Në rastin e fushatës sportive të Shqipërisë në futboll, është hera e parë që kemi pasë një udhëtim të vendosur, në drejtimin e duhur, duke i ndërlidhë të gjitha masat dhe veprimet e kërkuara. Kështu duhet të jetë edhe në politikë. Kot e kremtojmë nisjen e këtij udhëtimi kah Evropa, i cili për ne, si shqiptarë, ka filluar po në të njejtën ditë kur edhe është shpallë shteti shqiptar (në vitin 1912-të). Çfarë mbahet në mend është fundi i kësaj ndërmarrjeje. E aty nuk kemi mbërri ende. As në Shqipëri, as në Kosovë.

Përvoja e tretë që del nga kjo e mëparme është që në këto punë, objektivisht, nuk ka ‘plumb të argjentë’  (apo një gol të vetëm), që kryen punë, dhe që vetëm epilogu llogaritet, pa marrë parasyshë të gjitha detyrat/ fitoret që janë kryer më parë.

Përvoja e katërt ka të bëjë me besimin që duhet të mbahet gjallë gjithë kohën, që puna e mbarë dhe e mirë do të shpaguhet, herët a vonë, dhe që duhet pasë durimin e duhur, edhe atëherë kur shumëçka të thotë që nuk ka gjasa për sukses. Në rastin e Kosovës, në politikë dhe në shoqëri, nga ky pikëshikim, e kemi përvojën e viteve të nëntëdhjeta, kur mbijetuam fillimisht, qëndruam, dhe më në fund, edhe fituam, sepse kishim një besim të madh që me politikën që aplikuam, do ta meritojmë çlirimin dhe pavarësinë. Në shembullin e futbollit, ekipi i Shqipërisë me të drejtë besoi që drejtësia, në rastin e njohur të ndeshjes së parë me Serbinë, do të ngadhnjejë, dhe që Shqipëria do ta fitojë ndeshjen. Dorëzimi eventual pas vendimeve të para të padrejta, me siguri që do të ndikonte edhe në rezultatet e ndeshjeve që pasuan. Nuk do t’i duhej gjë pastaj Shqipërisë fitorja e shënuar ndaj Serbisë.

Më në fund, është edhe përvoja a mësimi i pestë. Duhesh të jesh i vendosur, tërësisht, në synimet që ia ka parashtruar vetes: Si në sport, ashtu edhe në politikë. Kjo vendosmëri, megjithatë, nuk bën shumë punë, nëse njëkohësisht nuk je i vetëdijshëm për detyrën që ke, dhe nuk je njëlloj i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjjshëm për punën që të pret.

Duhet ta meritosh, gjithqysh pra, identitetin suprem politik dhe sportiv evropian. Këtë duhet të ia dëshmosh së pari vetes, e pastaj, edhe të gjithë të tjerëve. Për të qenë pjesë e Evropës, të kësaj që është, me të gjitha këto telashe që i ka (por kjo Evropë është Identiteti final politik i Kosovës dhe Shqipërisë, nuk ka tjetër), duhet të bëhesh evropian si në një ndërmarrje sportive, ashtu edhe në organizimin politik dhe në funksionimin shoqëror.

Në të kundërtën, kot e kemi. Apo, nuk do të arrijmë deri tek ai hapi i fundit, dhe më i rëndësishëm. Do të rrëzohemi më parë. Dhe pastaj do të qajmë dhe do të vajtojmë. (Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)