Pesë hapa bashkë dhe një hap ku rrëzohemi – Lajmi.net
Pesë hapa bashkë dhe një hap ku rrëzohemi
Autori: Lajmi.net Op-EdOpinion 17:00, 8 May 2018
Nëse ne do të jemi shkaktarë të bllokimit të finales së dialogut, kjo nuk do të ketë  pasoja për Serbinë, apo, ajo do të ecë tutje kah BE-ja, sepse ne do të jemi përgjegjës për dështimin e dialogut.

Shkruan: Blerim Shala

Nëse të gjithë politikanët relevantë të Kosovës, si ata që udhëheqin me Qeverinë dhe me institucionet e Kosovës, si ata që janë në opozitë, do të pyeteshin se a duhet kryer punën sa më parë me Serbinë, apo, a do të duhej të bëhej Marrëveshja historike, ligjësisht detyruese midis Kosovës dhe Serbisë, e cila do të mund të krijonte rrethana më të volitshme për Kosovën për hyrjen në OKB, s’do mend që përgjigjja do të ishte identike.

Të gjithë këta pra do të shpreheshin në favor të rrumbullakësimit të këtij dialogu politik që ka 21 vjet që po zhvillohet, në gjetjen e epilogut për një kontest të madh historik që ka 107 vjet që prej se ka nisur, me okupimin e Kosovës nga Serbia.

Natyrisht, nuk do të kishte as dallime sa i përket mënyrës më të mirë të zgjidhjes së kësaj çështjeje, apo, të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë: Të gjithë politikanët do të thoshin që Kosova dhe Serbia do të duhej ta njihnin në mënyrë reciproke ekzistimin e dy shteteve, të Kosovës dhe Serbisë.

Pyetja e tretë e radhës që do të mund të ju bëhet të gjithë këtyre politikanëve, poashtu do t’i bashkonte të gjithë ata në përgjigjen e njejtë. Nëse pra ata do të pyeteshin se a i duhet politikës kosovare një konsensus i gjërë, që do t’i bënte bashkë qeveritarët dhe opozitarët, s’ka dyshim fare që përgjigjja do të ishte pozitive. Tema e përfundimit të dialogut të Brukselit në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk i takon një mandati qeverisës as një mandati të legjislativit, por ajo i përket të gjithëve, dhe për më shumë, është e domosodshme që një herë e përgjithmonë të mbyllet si çështje që rëndon tutje thuaja përditë politikën kosovare dhe pamundëson  (objektivisht), stabilizimin afatgjatë të shtetit të Kosovës.

Natyrisht, që të gjithë politikanët tonë poashtu ndajnë mendimin që në mënyrë që të mbërrihet një Marrëveshje e mirëfilltë me Serbinë, duhet ndërmjetësim por edhe garanca të BE-së dhe të SHBA-së, për zbatimin e saj në të ardhmen. Nuk ka dhe nuk mund të ketë realisht besim në relacionet e Kosovës me Serbinë. Duhet garantues ndërkombëtarë.

Më në fund, kur bëhet fjalë për autoritetin final të konfirmimit apo refuzimit të Marrëveshjes eventuale që do të nënshkruhej me Serbinë, as këtu nuk ka kurfarë dallimesh e lëre më përplasjesh në mes politikanëve kosovarë. Të gjithë ata do të thonin me një zë që vetëm Kuvendi i Kosovës ka të drejtë ta Ratifikojë Marrëveshjen me Serbinë, dhe pasiqë ajo për ne është një Marrëveshje ndërkombëtare, atëherë, do të duhet përkrahja e së paku 80 deputetëve për ta fuqizuar atë.

Në shikim të parë pra, kur do të bëheshin bashkë përgjigjet në këto pesë pyetje/ çështje, do të fitohej një material i mirë i cili do të mund të shërbente si për përgatitjen e një Draft-Rezolute në Kuvendin e Kosovës, apo edhe për hartimin e një Platforme të përbashkët për bisedimet që na presin.

Aq shumë kemi përvojë politike, historike, negociatore  (tek e fundit), me Serbinë, saqë nuk është vështirë të mbërrihet tek Parimet bazë për një Rezolutë të Kuvendit, apo për një Platformë të Qeverisë.

Por pastaj, kur i gjithë ky kualitet politik i cili objektivisht ekziston në Kosovë, tek të gjithë politikanët dhe subjektet politike, do të duhej të kthehej në një konsensus organizativ  (e jo vetëm deklarativ dhe parimor), përmes krijimit të një Delegacioni të përbashkët të Kosovës, i cili do të merrte përsipër përgjegjësinë e këtij dialogu, deri në atë hapin apo aktin final që duhet të ndodhë në Kuvendin e Kosovës, atëherë këtu bëhemi pikë dhe pesë, apo, i zhbëjmë të gjitha ato qëndrimet e përbashkëta, të cilat i ndërtuam më parë.

Pastaj pra, dëgjohen dhe përmenden variantat më të ndryshme të mundshme, të cilat bashkohen në kontestimin e legjitimitetit dhe legalitetit negociator, apo edhe në kërkimin e një legjitimiteti të ri, përmes zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme parlamentare.

Dhe kështu me radhë.

Poqëse ne, për shkaqe të ndryshme, përfshirë këtu edhe mungesën e vullnetit për të krijuar një Delegacion të përbashkët për këto bisedime, do të bëhemi shkaktarë të ngadalësimit apo edhe të bllokimit të finales së dialogut, kjo nuk do të ketë kurfarë pasojash për Serbinë, apo, ajo do të ecë tutje kah BE-ja, sepse ne do të jemi përgjegjës për dështimin e dialogut.

Këtë duhet ta kemi të gjithë të qartë.

Fotolajm

Rozana Radi provokon nga pasqyra, shfaq gjoksin më shumë se ç’duhet
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO