Pesë detyrat e Qeverisë së re të Kosovës

Qeveria dhe Kuvendi i ardhshëm i Kosovës do të detyrohen të ndërmarrin veprime që do ta sigurojnë qëndrueshmërinë afatgjatë të shtetit të Kosovës.

Opinion

19/03/2014 11:12

Ka skaduar afati i përdorimit. Përdorimi i mëtejmë i tyre paraqet rrezik.

Më së shkurti, me një terminologji të huazuar, në këtë mënyrë do të mund të përshkruhej gjendja në politikën kosovare, në segmentin institucional. Ky vlerësim qëndron mbi të gjitha për Qeverinë e Kosovës, por as Kuvendi i Kosovës nuk i ka punët më mirë.

Shoqëria kosovare në përgjithësi nuk mund dot t’i përballojë më: As Qeverinë, as Kuvendin e Kosovës.

Të tillët që me çdo kusht synojnë t’i shkojnë deri në fund një dukurie, mbase, do të thonë që institucionet qendrore të Kosovës, këto të mbramat pra, janë rezultat i një krize parlamentare të vjeshtës së vitit 2010, janë derivat i një krize të madhe me zgjedhjet e jashtëzakonshme të atij viti, dhe kanë prodhuar, para dhe mbi të gjitha, probleme të njëpasnjëshme që merrnin trajta edhe të krizave.

Njëra prej domethënieve të nocionit krizë, është ajo sipas të cilës ajo paraqet atë momentin apo pikën e kthesës, për të mirë apo për të keq në një sëmundje të rëndë.

Mund të ketë pra kthesë kah e mira, por edhe kah e keqja. Kryesorja, kriza shënon çastin kur diçka që aktualisht është e paqëndrueshme, e thyeshme, e brishtë, prishet.

Ekziston një pajtueshmëri e heshtur, madje edhe në këtë politikën kosovare ku është vështirë të arrihet qëndrimi i njësuar edhe në përshkrimin e motit, që gjendja e tanishme politike në vend është e paqëndrueshme. Që ajo, madje, mund të ecën në drejtim të shndërrimit të paqëndrueshmërisë në një rrëmujë politike dhe sociale, e cila do ta kërcënonte rendin dhe vendin.

Rëndom, paralajmërimet e tilla janë një ekzagjerim i qëllimshëm, për t’i vënë në përdorim veshët e politikanëve dhe kambanat e alarmit. Por shteti dhe shoqëria në përgjithësi, më para preferojnë teprimin në këtë aspekt, se zënien në një befasi të madhe, me pasoja tragjike, çfarë ta zëmë ishin trazirat e marsit të vitit 2004 që rrëzuan për toke Kosovën, dhe që rrezikuan me themel, në atë kohë, bërjen e shtetit të Kosovës, së paku në tërësinë territoriale të njohur për të gjithë. Duhet thënë këtu fare kalimthi që Veriu nuk është krijuar në marsin e vitit 2004. Por ai është çimentuar si i tillë pikërisht me këto ngjarje.

Si në shikimin e parë, ashtu edhe sipër të gjitha analizave serioze, shtegëdalja në demokraci, kur kemi institucione qendrore që janë divorcuar nga legjitimiteti, kërkohet në mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare. Po të kishte pak mend, pak më shumë durim dhe mbi të gjitha, sens për interesat e shtetit, diagnostifikimi i përbashkët i gjendjes aktuale politike në Kosovë, do të shpiente edhe në marrëveshjen për veprimet që duhet bërë tash e tutje në Kuvendin e Kosovës, për ta përgatitur terrenin ligjor dhe politik për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme, në mënyrën më të mirë të mundshme, apo, së paku me cilësinë e konstatuar në organizimin e zgjedhjeve lokale të vjeshtës së vitit të kaluar. Por ndër ne, në politikë, nuk ka shumë mend, ka edhe më pak durim dhe më së paku ka sens për interesat shtetëror, prandaj, sipas të gjitha gjasave, ia kemi mësyer të bëjmë zgjedhje, në qershor apo në shtator, mbase këtu nuk ka farë dallimi të madh, pa qenë të përgatitur si duhet, duke këqyrë vetëm interesat vetjak, dhe duke bërë llogaritë që janë parimisht të pabazuara në realitetin politik.

Ndërsa zgjedhjet e vitit 2014, të dytat që prej se Kosova është bërë shtet i pavarur, jo që është rendi të thuhet ashtu  (sepse në një demokraci që nuk ka traditë dhjetavjeçare, zgjedhjet gjithmonë janë sprovë e veçantë), por njëmend janë tepër të rëndësishme për zhvillimet në shtetin e Kosovës, në të gjitha fushat e mundshme.

Qeveria dhe Kuvendi i ardhshëm i Kosovës, do të jenë në pozitë, sepse ashtu janë krijuar rrethanat, për të ndërmarrë veprime që do ta sigurojnë qëndrueshmërinë afatgjatë të shtetit të Kosovës.

Së pari, në mandatin e ardhshëm të Qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës, do të mund të garantohet, më në fund, funksionaliteti i Republikës së Kosovës në gjithë territorin e saj, përfshirë këtu edhe Veriun.

Së dyti, në këtë mandat, ka gjasa reale që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së, e OSBE-së  (e FIFA-s, UEFA-s, etj.etj), dhe kështu të sigurojë një herë e përgjithmonë pozitën e saj në Rendin Ndërkombëtarë.

Së treti, po ashtu, në këtë mandat, procesi i integrimit të Kosovës në BE, mund të marrë drejtimin shumë të qartë, që do të nënkuptonte, pos tjerash, marrjen e statusit të shteti kandidat për inkuadrim në BE.

Së katërti, në fushën e sundimit të ligjit, prej vitit 2016 e tutje, Kosova do të duhej të funksiononte si duhet vetë, pa rolin e veçantë të Misionit ndërkombëtarë. Luftimi i korrupsionit dhe i krimit të organizuar do të jetë detyrim i përditshëm i institucioneve të Kosovës.

Së pesti, zhvillimi ekonomik vjetor i Kosovës nuk do të duhej të ishte më i ulët se 7%, nëse dëshirohet të hetohet tek qytetarët e Kosovës një përmirësim i ndjeshëm në jetën e tyre.