Pesë arsye pse duhet mbështetur investimi nga Spitali Amerikan!

Në Kosovë kushtet për të bërë biznes nuk janë shumë të mira. Në krahasim me vendet e rajonit si në Shqipëri, Kroaci, Serbi, Maqedoni etj, ka probleme që fillojnë që nga siguria politike, korrupsioni i lartë, mungesa e infrastrukturës për biznes e deri tek efektiviteti në mbrojtjen e investimeve nga shteti.

Lajme

07/04/2015 13:50

Kjo ka bërë që shumë investitorë të huaj të hezitojnë për të investuar në Kosovë, shkruan Telegrafi.

Situatë e njëjtë edhe sa i përket investimeve në fushën e shëndetësisë, ku të gjithë jemi në dijeni të zhvillimeve të fundit dhe akuzave që ngrihen kundra qeverisë për mos zgjidhjen e këtij ngërçi. Bëhet fjalë për një nga investimet më serioze që është realizuar kohët e fundit në Kosovë sa i përket sektorit të shëndetësisë. Spitali Amerikan, në vitin e tretë të punës në Kosovë, me një objekt të ri në hyrje të Prishtinës dhe me një investim shtesë që arrin vlerën deri në 20 milion euro.

Më poshtë po japim 5 arsye se pse një investim i tillë duhet mbështetur dhe përkrahur nga të gjithë:

1. Investim serioz i fondit të qeverisë amerikane

“Bedminster Capital Management Fund “Për vendet e vogla si Kosova me të ardhura mesatare shumë të ulëta, me numër të lartë të papunësisë dhe me dëshirën e madhe për tu integruar në rajon, një investim i tillë duhet të jetë shumë i mirë pritur nga klasa politike por edhe nga shoqëria civile. Spitali Amerikan, si një investimi Bedminster Capital Management Fund, një fond investimesh me qendër në New York, pjesëmarrës të të cilit janë Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuar nga Zyra e Investimeve të Huaja (OPIC), Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe investitorë të ndryshëm privatë amerikanë ka filluar të investojë në Kosovë nga viti 2012. Investimet iniciale ishin në shumën prej 7 milionë euro. Tani pas 3 vitesh do të investohen edhe 20milionë euro të tjera.

2. Grupi i Spitaleve Amerikan ka treguar histori suksesi edhe në Shqipëri

Vlera e investimit në Spitalin Amerikan në Tiranë kap shifrën e 35 milionë eurove. Emri i Spitalit Amerikan thuhet fort dhe për pacientët shqiptarë ka zënë vend në mendjet e tyre, jo vetëm si një strukturë spitalore me një shërbim të pritur prej vitesh dhe te për të vlerësuar nga pacientët, por edhe si vendi ku janë realizuar sfidat e mjekësisë moderne. Transplanti i Veshkave, Transplanti i Mëlçisë ,Qendra e Kardiologjisë që trajton infarktet akute të miokardit 24 orë 7 ditë të javës, kirurgji të zemrës të pa aplikuara më parë në Shqipëri, qendra e parë private e hemodializës në vend, trajtimet me lazer në oftalmologji, kirurgjia plastike dhe rikonstruktive, implanti i parëkoklear, radiologjia e avancuar në nivelin më të lartë teknologjik si dhe kirurgjia konservative, kanë qenë vetëm disa nga risitë e Spitalit Amerikan.

3. Rrit standardin në shëndetësi

Institucion i certifikuar nga ISO, The American Hospital Association si edhe nga Diplomatic Code! Spitali Amerikan posedon të gjitha certifikatat e standartit ISO. Po ashtu nga viti 2010 falë përkushtimit dhe përpjekjeve, punës dhe përkujdesjes për një shëndet të mirë të shoqërisë sipas vizionit të Shoqatës Amerikane, Spitali Amerikan fitojë të gjitha të drejtat dhe është anëtar i The American Hospital Association. Në vitin 2011 është anëtarësuar edhe në shoqatën e Codit Diplomatik në Europë.

4. Nxit konkurencën edhe në sektorin publik shëndetësor

Një nga objektet me infrastrukturën më të domosdoshme që duhet të ketë një spital modern, si dhe i pajisur me teknologjinë më të fundit, do të jetë konkurrues jo vetëm në Kosovë por edhe me spitalet në Europë.Kjo do të jetë shtysë për Ministrinë e Shëndetësisë të investojë ambientet e QKUK-së, por edhe sfidë për mjekët e sistemit publik që të jenë në të njëjtin nivel me standartin e sistemit privat. Prej këtij investimi shumë të rëndësishëm pritet të punësohen mbi 350 persona, duke dyfishuar kështu numrin e personelit që ka aktualisht ky spital. Spitali Amerikan do të jetë gjithmonë pranë qytetarëve duke ofruar të gjitha shërbimet e nevojshme dhe zgjidhje të problemeve të tyre shëndetësore, pa pasur nevojë të shkojnë në vende të tjera.

5. Risi në sektorin e shëndetësisë si edhe nxitjen e turizmit shëndetësor

Zhvillimi i turizmit shëndetësor në Kosovë do të jetë pararojë e këtij investimi. Në këtë mënyrë do të konkurrohet denjësisht me vendet e rajonit, si Maqedonia, Serbia dhe Turqia dhe të rikthehet shëndetësia e Kosovës në nivelin që të gjithë e dëshirojnë. Synohet që në vitin 2016 të organizohet në Prishtinë Kongresi Multidisiplinar II, që do të sjellë në Kosovë figurat më të larta të Shëndetësisë Botërore.