Përvoja e një studentjeje polake që studion njëkohësisht gjuhën shqipe dhe serbe

Shumë herë kemi dëgjuar se studentë nga Kosova dhe vendet e rajonit shkojnë të studiojnë në vende të ndryshme evropiane. Edhe pse nuk ndodhë shpesh e e kundërta, studentë nga vende të ndryshme (qoftë edhe për një semester) të zgjedhin të ndjekin studimet në Universitetin e Kosovës. Ngjajshëm ka vepruar edhe Aleksandra, e cila ka ardhur nga Polonia për të ndjekur një semester në Universitetin e Prishtinës.

ShowBiz

12/04/2017 15:34

Aleksandra në Poloni studion në qytetin Torunj, në Universitetin e Nikola Kopernikut. “Në Poloni studioj filologjinë ballkanike, tani jam në vitin e pesë (masteri). Kur fillojmë të studiojmë këtë degë ne zgjedhim dy gjuhë, që do të mësojmë gjatë studimeve. Unë i kam zgjedhur gjuhën shqipe dhe gjuhën serbe, të cilat mësoj njëkohësisht”, rrëfeu ajo.

E pyetur se pse ka vendosur të vijojë një semestër të studimeve në Kosovë?, ajo shpjegoi procedurat deri të dita e parë në Universitetin e Prishtinës. “Para se të vijë në Kosovë unë kam studiuar edhe në Serbi, por atje nuk pata mundësi të mësoj gjuhën shqipe. Kur u ktheva në Poloni, profesori im më tha se dega e filologjisë në Torunj ka nënshkruar marrëveshje me Universitetin e Prishtinës (programi Erasmus +) dhe se mund të studiojë në Kosovë për të përmirësuar njohjen e gjuhës por edhe për të bërë hulumtime të nevojshme për punimin e masterit. Atëherë vendosa të vij në Prishtinë për një semestër. (Procedurat duken si për çdo shkëmbim në program Erasmus)”, tregoi Aleksandra.

Përveç kësaj, studentja nga Polonia di të flasë si dhe të shkruajë mirë në gjuhën shqipe. Ajo tregoi edhe sfidat që i kishte derisa arriti ta mësojë gjuhën tonë. “Ka 5 vjet që mësoj gjuhën shqipe, por pata 6 muaj pushim kur kam studiuar në Serbi. Në Poloni kemi mësime me mësuesin shqiptar, që jeton atje dhe flet edhe gjuhën polake. Në fillim ishte pak e vështire për të mësuar gramatikën, sepse gjuha shqipe dallon nga gjuha ime amtare. Por me kalimin e kohës është gjithnjë më e lehtë”, tha 25 vjeçarja, shkruan rtv21.tv.

Aleksandra më tutje tregoi se nga ajo që ka vërejtur, cilësia e arsimit në Universitetin e Prishtinës është në nivelin shumë të lartë, derisa komentoi edhe mbi angazhimin e studentëve në orët mësimore. “Më pëlqen se studentët të cilët kam takuar gjatë ligjëratave ishin shumë aktivë dhe shumë të angazhuar gjatë ushtrimeve. Ata dhe ato ishin gjithmonë të përgatitur dhe gjithmonë gati për të marrë pjesë në diskutim”, rrëfeu ndër të tjera Aleksandra.

Krahas studimit, Aleksandra u ndalë edhe tek karakteristikat e Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Ajo tregoi një fakt që e ka habitur në Prishtinë. ”Shqiptarët janë shumë të hapur dhe shumë mikpritës. Jam edhe pak e habitur se në rrugë mund të shikojë përgjithësisht shumë të rinjë e të reja”, tha studentja polake, derisa rrëfeu se do t’iu rekomandonte të tjerëve që të vizitojnë Kosovën. ”Do t’i them njerëzve se Kosova është një vend i bukur, se ende po zhvillohet dhe se mund ta vizitojnë kur të kenë rast”, tha Aleksandra duke shtuar se nëse do të kishte mundësi, do të vinte në Kosovë edhe një herë, sidomos për të punuar për ndonjë organizatë joqeveritare.

”Në Poloni nuk mund të blejmë kokoshka në rrugë :)”, përfundoi Aleksandra duke buzëqeshur./21Media