Përvjetori i “iPhone”

“iPhone”-i mbushi 10 vjeç të enjten, duke risjellë në kujtesën e përdoruesve të shumtë të tij fillimin e vështirë të celularit, që do të revolucionarizonte botën e “smartphone”-ve, e që vazhdon të intrigojë personat që duan të dinë se ku mund të shkojë më tej.

Auto & Tek

30/06/2017 13:17

Vet koncepti i tij ishte një surprizë për disa prej furnizuesve të “Apple”-it një dekadë më parë, edhe pse me “iPod”-ët, kompania e drejtuar nga Steve Jobs e kishte treguar se mund t’i shtrinte aftësitë e saj përtej kompjuterave.

Që prej lançimit të tij, 29 korrikun e vitit 2007, “Apple” ka shitur më shumë se një miliard “iPhone”, e vazhdon të ecë me të njëjtin ritëm, duke thyer njëri pas tjetrit rekordet e fitimeve. Prodhuesit, megjithatë, thonë se do të kërkojnë në vazhdimësi mundësi përmirësimi.

“Praktikisht ai duhet ta kapërcejë veten. Duhet të ketë gjithmonë një arsye, përse njerëzit ta blejnë një ‘iPhone’ të ri. Ka të bëjë me evolucionin e tij, siç ka ndodhur në kohë. Kështu, për shembull, kamerat janë përmirësuar ndjeshëm duke mbërritur në pikën ku, zor se mund të gjesh më të mira, por duhet parë gjithmonë se ku ka vend për ndryshim”, tha Lindsey Turrentine, përfaqësues i “Apple”.

Një dekadë pas hedhjes në një treg të pushtuar në masë të madhe nga “BlackBerry” dhe pajiset e “Microsoft”-it, “iPhone” tani konkurron më së shumti me sistemin operativ “Android” të “Google”-it e rivalizon edhe me Samsungun, por 6S-ja ka arritur të marrë sidoqoftë vlerësimin e telefonit më të mirë me ekran të madh në treg. /Lajmi.net/