Përurimi Legjendar

Partia e Fortë u tregua fort e fortë sot, kur përuroi Sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë. Visar Arifaj preu shiritin e kuq, disa ditë para se këtë ta bënte zyrtarisht Isa Mustafa. Ai edhe një herë tregoi se është vizionar dhe u paraprinë gjërave.

Lajme

24/09/2013 12:21

Gjithçka ishte përgatitur me kujdes. Tepihu i kuq, balonat, shiriti dhe gërshërët. Nënkryetarët e shumtë në numër të Partisë së Fortë kishin zënë radhët e tyre. Pritej vetëm ardhja e Kryetarit Legjendar, Visar Arifaj, për ta prerë shiritin e Inaugurimit të Sheshit “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

Me afrimin e kohës së ceremonisë, rritej edhe interesimi dhe kureshtja e qytetarëve.

Fiks në orën 12:00, arrin Kryetari Legjendar. I veshur me xhaketë e këmishë të bardhë, por me pantallona të shkurtra e çorape të gjata.

Duartrokitjet e shoqërojnë prerjen e shiritit dhe përurimin e Sheshit.

Kryetari Legjendar u thotë pjesëmarrësve në këtë ceremoni se ata po nderohen me fjalimin emocionues të tij.

“Në këtë moment gjeneroz të dhurimit të një bulevardi metropolitano-europian, që Partia e Fortë ia dhuroi elektoratit, mu në prag të zgjedhjeve komunale”.

“Ju mund të shihni se si ujërat me hedhje vertikale hidhen nga kënde të ndryshme por bashkohen në një pikë, simbol ky i qëllimeve tona për integrime indo-europiane.”

“Jemi mbledhur sot këtu për ta inauguruar Sheshin e Ri, Zahir Pajaziti. Ky shesh është simbol i zhvillimit të vazhdueshëm të qytetit të Prishtinës, i cili synon të bëhet një qytet i zakonshëm i Europës”.

“Kjo do të jetë hapësira ku jeta e qytetarëve do të lulëzojë. Ku fëmijët mund të lozin e pse jo edhe të rrëzohen nganjëherë, pasi që vetëm kështu mund të rriten e të bëhen të fortë. Kjo është vetëm një dhuratë e vogël nga Partia e Fortë për votuesit e Prishtinës”.

“Është e pamundur për mua ta përshkruaj ndjenjën kur shoh kaq shumë fytyra të buzëqeshura dhe të lumtura. Për çfarëdo pune të mundimshme dhe të lodhshme që ne kemi bërë, ky është kompensimi më i këndshëm që ne mund ta kemi”.

“Ky është vetëm një kontribut modest  prej 4.4 milionë euro nga vetë qytetarët dhe për qytetarët. Andaj, ju jeni ata të cilët ne duhet t’ju falenderojmë”.

Ky, në fakt, ishte një aktivitet simbolik i Partisë së Fortë, e cila po ironizon me shije sjelljet dhe premtimet e liderëve dhe politikanëve kosovarë.

Zyrtarisht, Sheshi “Zahir Pajaziti” do të përurohet nga Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa. Sigurisht, pas pak ditësh, kur afrohet koha e mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit.

(Video: lajmi.net)