Përshkallëzohet situata në Bregun Perëndimor, 34 të lënduar – reagojnë liderët botërorë (Foto/Video)

Protesta të dhunshme kanë shpërthyer në Betlehem pas vendimit të presidentit amerikan Donald Trump që ta njohë Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit, veprim ky që ka nervozuar tej mase Lindjen e Mesme.

Bota

07/12/2017 15:54

Deri më tani ekipet e ndihmës së shpejtë kanë dërguar në spital mbi 34 të lënduar nga të shtënat e ushtrisë izraelite me të cilët u përleshën në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës, Nablus, Jenin dhe Ramallah.

Në Hebron dhe Al-Bireh, mijëra demonstrues kanë marshuar me sloganin “Jerusalemi është kryeqyteti i shtetit të Palestinës”, kanë bërë të ditur dëshmitarë të shumtë.

Kjo dhunë shpërtheu pas vendimit të parit të Shtëpisë së Bardhë për ta njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit, vendim ky që ndryshoi politikën amerikane shumëvjeçare karshi kësaj zone, derisa Hamasi ka paralajmëruar se do nuk do të qëndroj duarkryq kundër Izraelit.

Frika nga eskalimi i situatës në këtë regjion, vjen pasi grupi islamist ka paralajmëruar presidentin amerikan se me këtë veprim ka hapur “portën e ferrit”, ku gazeta pro lëvizjes se Hezbollahut në Leban i ka shpallur “SHBA-ve luftë deri në vdekje”.

Ndërkaq, sot presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka akuzuar presidentin Trump se po e fut Lindjen e Mesme në “unazën e zjarrtë”. Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara i kanë “hequr siguresën bombës që është gati të shpërthej në këtë rajon”.

Rusia gjithashtu ka reaguar lidhur me vendimin e Trumpit, duke thënë se kjo lëvizje do të ketë “pasoja serioze” për të cilat do të ngrit këtë çështje në KS të OKB-së. Ndërkaq, Ministri i Punëve të Jashtme të Britanisë, Boris Johnson e ka përshkruar situatën si “me pak shpresa” derisa Franca zyrtare ka refuzuar vendimin “unilateral”. Lidhur me këtë ka reaguar edhe Gjermania, transmeton telegrafi.