Përse shpërtheu Berisha ndaj Fatos Lubonjës?

I vetmi lajm i ri ishte frika se tallja me Berishën do të bëhej lajm dhe ai prodhoi një lajm të ri, për të cilin të gjithë pyesin ende sot se “çfarë pati?”.

Opinion

10/01/2014 14:56

Shpërthimi i papritur, gati skizofrenik, i Sali Berishës ndaj Fatos Lubonjës, ka ngjallur debate për shkak të mungesës së arsyeve që kishte lidhur me tekstin që i referohej dhe kohës kur reagoi. Në reagimin e tij, Sali Berisha i referohej një debati të Lubonjës në muajin nëntor, që ishte bërë në transmetim direkt nga Italia, duke polemizuar me bashkëpunëtorin e Opinionit, Nurellari. Transmetimi ishte bërë publik qysh në nëntor dhe nuk ishte pjesë e gjërave “off rekord” që ka transmetuar Opinioni këto dy ditë. Ajo ishte diçka që është transmetuar publikisht, e kanë parë të gjithë atë ditë, e ka parë dhe Berisha dhe nuk ka reaguar. Kështu që argumenti pse reagoi dje, që sipas tij ka rikujtuar këtë skenë nga Opinioni, nuk qëndron.

Arsyeja tjetër që nuk qëndron është gjuha e urrejtjes e Lubonjës. Në atë komunikim ka plot nervozizëm dhe pasion nga Lubonja, por jo urrejtje. Ka një reagim njerëzor për diçka që Lubonja e beson vërtet dhe që ka të bëjë me çështjen e armëve kimike. Është nga ato raste kur Lubonja nuk është në versionin “Edhe… edhe…” po është në version bardh e zi, PO ose JO. Në atë rast ishte për JO për armët kimike, pozicion që përkon edhe me pozicionin së paku publik të Sali Berishës. Ndaj dhe këtu nuk ka arsye që Berisha të jetë shqetësuar.

Ndaj të gjitha arsyet për shpërthimin skizofrenik të Berishës nuk duhet t’i kërkojmë tek përmbajtja e atyre që ka thënë Lubonja, as tek koha kur i ka thënë, por tek përmbajtja e emisionit Opinion për regjistrimet e tij “off record” në pauzat e emisionit. Nëse vëren tekstin e Berishës, ka një hallakatje në titull, që është i shqetësuar pikërisht nga “heqja e maskave” dhe më tej akoma është i shqetësuar nga ato që thuhen në pauza.

Në këtë pikë, Berisha ka qenë i shqetësuar për dy gafa që u bënë publike lidhur me raportet brenda partisë së çamëve dhe deklaratën e ish- ministrit të Financave të tij në moment sinqeriteti, që borxhi mund të jetë më i lartë nga aq sa deklarohet. Nëse e shikoje me kujdes emisionin, kishte dhe detaje të tjera mes avokat Ngjelës dhe Balliut lidhur me raportet me Berishën dhe pozitën kapitulluese të Balliut, që nuk e mbronte Berishën, ndërsa Ngjela dhe Rakipi talleshin me të. Emisioni në tërësi ishte i mbushur me grimca dhe detaje, që tregonin sa i pavërtetë ka qenë autoriteti i Berishës dhe tek njerëzit e vet dhe sa fallco kanë qenë ata në vitin e fundit të pushtetit me vetë atë.

I fiksuar pas idesë se media do bënte lajm pikërisht këtë pozicion hipokrit të njerëzve të tij ndaj tij, Berisha përzgjodhi të viktimizojë Lubonjën, për të prodhuar një lajm me sforco, që të shmangë lajmet e tjera. Ai ia doli të hapë gazetat dhe të zhurmojë skandalet reale të emisionit, vetëm përmes reagimit të tij skizofrenik, i cili më shumë se sa mesazh ndaj Lubonjës, është një mesazh ndaj TV Klanit, të cilët duhet të marrin një pozicion të qartë “ose me atë, ose kundër tij”.

Berishës i ka interesuar shumë pozicioni i publicistit Lubonja, i cili për tetë vitet e tij në pushtet e ka kritikuar Berishën, por në çdo fjali ka pasur një POR të madhe që vazhdonte me sulmin mbi opozitën. Berishës i ka interesuar ky pozicion i Lubonjës kur ishte në pushtet, por tani ky pozicion natyrisht që është i padobishëm për të.

Duke dashur t’i çojë një mesazh të egër TV Klanit dhe Opinionit, që në fakt denigroi mitin e tij si ish- udhëheqës i fortë, Berisha iu vërsul Lubonjës për të goditur modelin që ai urren më shumë, atë të gazetarit që tenton të qëndrojë në mes. Për tekstin që i referohej dhe kohën kur e ka thënë, Berisha nuk kishte asnjë arsye të sulmonte Lubonjën, nëse nuk do të kishte arsye të vërtetë faktin që ai do të bëhej lajm si njeri i denigruar nga Opinioni. Ai pa aty për gati dy orë se si ishin kundërshtarët e tij, si ishin të çliruar bashkëpunëtorët e tij të mos e mbronin jashtë kamerave dhe si i ishin dekonspiruar aleancat, sidomos ajo me partinë çame. Ai e pa veten në pozita qesharake në gojën e Bodes, Balliut dhe bashkëpunëtorëve të tjerë të tij dhe pa se si askush nuk e merrte seriozisht jashtë kamerave.

Kaq mjafton për Sali Berishën të çmendet dhe frikësohet se do bëhet objekt barsoletash. Dhe në këtë gjendje ka përzgjedhur Lubonjën, të vetmin që nuk u mor me të në atë emision, që nuk ishte “off rekord”, që ishte parë prej shqiptarëve qysh në nëntor, pra që nuk ishte lajm i ri.

I vetmi lajm i ri ishte frika se tallja me Berishën do të bëhej lajm dhe ai prodhoi një lajm të ri, për të cilin të gjithë pyesin ende sot se “çfarë pati?”. Pikërisht për të vazhduar të merremi me këtë pyetje e ka bërë. Nuk e duron dot të jetë i talluri i kësaj historie, që përfundoi më 23 qershor.

 

(Gazeta Tema)