Përse ndodhin katastrofat natyrore dhe çfarë kërkojnë të na thonë?

Katastrofat natyrore, si tërmetet, zjarret, përmbytjet etj., fatkeqësisht, e kanë shoqëruar gjithmonë njerëzimin brenda kohës dhe hapësirës globale dhe sidomos në këto kohët e fundit. Ato, papritur, bëhen shkaktare të dhunshme për shkatërrimin e mjedisit, marrin jetën e shumë njerëzve dhe kafshëve, bëjnë dëme të pallogaritshme materiale, shkatërrojnë fshatra, qytete dhe prishin kështu ëndrrat e njerëzve për një të ardhme të sigurt.

Fun

10/12/2017 21:50

Ajo që vërehet nga institute kërkimore, si për shembull, Qendra Rajonale e Mjedisit për Evropën Qendrore e Lindore (REC), më shumë se 7 trilionë dollarë ose 6.2 trilionë euro përllogaritet dëmi ekonomik i shkaktuar në mbarë botën si rezultat i fatkeqësive natyrore nga viti 1900 deri në 2015. Rreth 60% të dëmit e zënë përmbytjet dhe stuhitë. 8 milionë njerëz kanë humbur jetën përgjatë kësaj periudhe kohore nga fatkeqësi të tilla, si tërmete, vullkane, thatësira, zjarre etj. Në vitin 2015 kishte 26.000 viktima dhe në vitin 2016 kishte 11.000 viktima.

Gjatë dekadës së fundit, Kina, Shtetet e Bashkuara, India, Filipinet dhe Indonezia përbëjnë së bashku 5 vendet që janë goditur më së shumti nga fatkeqësitë natyrore. Edhe Shqipëria nuk është e paprekur nga katastrofat natyrore, madje është rrezikuar nga zjarre, përmbytje të shpeshta që po ndodhin këto vitet e fundit. Sipas raportit Global Risk të vitit 2015 për rreziqet në botë, Shqipëria rezulton të jetë një nga vendet më të ekspozuara ndaj katastrofave natyrore në Europë, transmeton Mapo.al.

Pavarësisht nga angazhimi global për përballimin e katastrofave dhe minimizimin e tyre, gjithnjë e më tepër po del një pyetje që po i shqetëson njerëzit dhe shkencëtarët në mbarë botën: Përse natyra është bërë kaq agresive me njerëzimin, sapo rrezikon edhe të ardhmen e tyre?

Para se t’i japim një përgjigje kësaj pyetjeje shumë komplekse, duhet të kuptojmë se çfarë është natyra dhe marrëdhënia jonë me të. Fjala natyrë rrjedh nga fjala latine “natura” dhe shpesh ka kuptimin e mjedisit natyror ose vendit të shkretë, kafshëve të egra, shkëmbinj, pyje, dhe në përgjithësi për ato gjëra që nuk janë ndryshuar në thelb nga ndërhyrjet e njeriut, ose që vazhdojnë pavarësisht nga ndërhyrjet e tij.

Njerëzimi gjithmonë është interesuar për të gjetur shkakun e krijimit të natyrës dhe krijuesin e saj, me qëllim që të dijë si t’i përqaset asaj edhe ta vërë nën kontroll. Popujt e lashtë, si persët, babilonasit, egjiptianët e sidomos filozofët grekë dhanë ide të ilustruar me mite, se materia është krijuar prej vetvetes; natyra ka ekzistuar përjetësisht dhe “perënditë” si personifikime të natyrës kanë vendosur rregull në këtë kaos, siç deklaronte poeti i famshëm grek, Homeri, (në shek. VIII para Kr.) ose siç thoshte Platoni (428-347) që “Demiurgu”, një arkitekt hyjnor, që e modeloi botën nga materia, e cila ekzistonte që më parë. Ky mit u bë dominues në të gjithë botën antike politeiste pagane.

Por, me shfaqjen në botë të besimit monoteist, në një Perëndi Trashedent si ai judeas (shek. XIII para Kr.), i krishterë (shek. I pas Kr.) dhe më vonë ai islam (shek. VII pas Kr.), në popuj mbisundoi një tjetër ide për krijimin e materies dhe natyrës: Që materia nuk ka ekzistuar përjetësisht, por u krijua nga asgjëja me një fillim kohor nga Zoti krijues, i cili ekziston nga vetvetja dhe përtej kohës. Besimi te një Zot krijues u bë përcaktues në botë deri në shekullin e XIX-të e XX-të, kur në Evropë u rishfaqën teoritë e vjetra greke të materies së përjetshme. Kjo solli teoritë e reja. si darviniste, materialiste, ateiste. Por përsëri ishte vetë shkenca me zbulimin e ligjeve si ai i ligjit të dytë të termodinamikës më 1850, (të William Rankine), i cili pranohet si një nga ligjet themelore të fizikës, që thotë se: “Në kushte normale, të gjitha sistemet natyrore ose të krijuara, që kanë mbetur në veten e tyre, do të tentojnë të çrregullohen, do të lëkunden dhe do të shkatërrohen në proporcion të drejtpërdrejtë me gjatësinë e kohës që kalon dhe sipas ligjit nuk ka shmangie nga ky proces. Ky është fundi absolut dhe me këtë do të ballafaqohen të gjitha qeniet, në një mënyrë apo në një tjetër.

Albert Ajnshtajn (1879-1955), shkencëtari më i madh i kohës sonë, e ka përshkruar atë si “ligji parësor i tërë shkencës”. Arthur Eddington (1882-1944) gjithashtu i referohet atij sikur “ligji suprem metafizik i gjithë universit”.Ky ligj hedh poshtë teorinë e një materie të përjetëshme dhe të një evolucioni të pandërprerë. Në fillim të shekullit XX, astronomi Edwin Hubble (1889-1953) zbuloi se universi po zgjerohej, dhe çdo gjë në të, (materie, energji, hapësirë, kohë) kishte një fillim dhe materia nuk është e përjetshme. Shkencëtari Michio Kaku,(lindur 1947), që është i njohur për kontributin e tij intensiv në shkencën e sotme, thotë se: “Kam arritur në konkluzionin që gjendemi në një botë të krijuar nga një inteligjencë… Më besoni, gjithçka që gjer më sot e kemi quajtur rastësi, nuk do të ketë më asnjë kuptim, për mua është më se e qartë që ne drejtohemi sipas disa rregullave të krijuara dhe jo të përcaktuara sipas mundësive universale, Zoti është një matematicien i madh’’.

Kështu, ligjet e shkencës dhe pohimet e shkencëtarëve më me zë, sidomos në këto kohë, po i drejtojnë sytë drejt zbulimit Biblik se Zoti e krijoi materien, natyrën dhe më pas njeriun si kurora e krijimit: “Në fillim Zoti krijoi qiellin dhe tokën” (Zanafilla 1:1). “Pastaj Zoti mbolli një kopsht në Eden në lindje dhe vendosi njeriun që e kishte formuar” (Zanafilla 2:8). Detyra e njeriut ishte që ta punonte dhe ta mbronte kopshtin, d.m.th. natyrën edhe sipas atij modeli të transformonte gjithë tokën; kjo e bënte njeriun punëtor të përgjegjshëm për veprimet e tij ndaj natyrës. Mund të themi se Zoti mbajti për vete qiellin dhe njeriut i la tokën për administrim.Por njeriu gaboi në fillim dhe e shkeli ligjin e Perëndisë, hëngri nga fryti i ndaluar i njohjes (të së mirës dhe të së keqes), për t’u bërë Perëndi nga vetvetja, atëherë vetë natyra u ngrit kundër njeriut. Pastaj Zoti i tha Adamit: “Meqenëse dëgjove zërin e gruas sate dhe hëngre nga pema për të cilën të kisha urdhëruar duke thënë: ‘Mos ha prej saj’, toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd. Ajo do të prodhojë gjemba dhe bimë gjembore, dhe ti do të hash barin e fushave; do të hash bukën me djersën e ballit, derisa të rikthehesh në dhe, sepse nga ai ke dalë; sepse ti je pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh” (Zanafilla 3:17-19). Këtu e ka zanafillën çdo katastrofë natyrore, d.m.th. kur njeriu ha frytin e ndaluar, pra kur mëkaton, atëherë vetë natyra e ndëshkon atë me zjarre, përmbytje, tërmete, varfëri, vdekje në mënyrë analoge, sepse edhe natyra vuan nën peshën e mallkimit nga mëkati i njeriut.

Pra, kemi një armiqësi të lashtë të natyrës me njeriun, sidomos kur ai i kalon kufijtë e përcaktuar në rendin e krijimit. Ajo që vihet re në përgjithësi dhe sidomos në këto kohët e fundit të zhvillimit teknologjik, njeriu po tregohet shumë agresiv e armiqësor ndaj natyrës dhe, me një lakmi të papërmbajtur, ai kërkon ta zhvatë, duke mos menduar për nesër. Kështu njeriu, duke prishur ekuilibrin natyror, bëhet vetë shkaktar i katastrofave natyrore.Natyra, e cila kërkon të shërojë vetveten, kundërvepron sipas ligjeve të saj. Ky kundërveprim natyror kthehet në një fatkeqësi për njerëzit e paarsyeshëm dhe lakmitarë. Këtu e kam fjalën për veprimet e papërgjegjshme të njerëzve, si: shfrytëzimin pa kriter, duke prishur shtretërit e lumenjve dhe duke prerë pyjet; edhe për ndotjen atmosferike, emetimet e karbonit nga teknologjia dhe industrinë agresive për fitim, emetimet e automjeteve, që janë shkaktarë primarë të ngrohjes globale dhe të shumë katastrofave të dhunshme, si zjarre, përmbytje. Po ashtu hedhja pa kujdes e mbeturinave toksike, – të gjitha emetojnë toksina në atmosferë dhe tokë, duke shkaktuar ndotjen e ajrit ,ujit të tokës.

Sipas statistikave të The World Counts: “Çdo vit, ne njerëzit nxjerrim rreth 55 miliardë tonë energji minerale dhe masë bio nga Toka. Bota tashmë ka humbur 80% të pyjeve të saj dhe ne vazhdimisht i humbim ato me një normë prej 375 km2 në ditë! Në shkallën aktuale të shpyllëzimit, 5-10% e specieve pyjore tropikale do të zhduken çdo dekadë. Çdo orë, 1.692 hektarë tokë e thatë prodhuese bëhet shkretëtirë. Ne po përdorim 50% më shumë burime natyrore nga çka mund të ofronte Toka. Gjithashtu po përdorim burimet tona natyrore më shpejt nga çka mund t’i plotësonte ato planeti ynë”.

Nëpërmjet katastrofave natyrore, njeriu paguan dhe gabimet e tij trashanike, p.sh., ndërtimi i banesave, bizneset në vende të pafavorshme afër apo mbi shtretër lumenjsh, zona kënetore ose në vende me rrezikshmëri, si rrëshqitje dheu, ose duke prishur infrastrukturën mbrojtëse, kanale kullues, kolektorë etj. Në të gjitha këto raste fatkeqësie e gjithë përgjegjësia nuk është e natyrës, as e Zotit që e krijoi atë, por e vetë njeriut, banorëve dhe qeverive përgjegjëse.

Por, përveçse natyra është në shërbim të njeriut dhe ai duhet ta administrojë, përsëri ajo mbetet pronë e Zoti dhe e Përkujdesjes Hyjnore. Natyra, përveç funksionit shërbyes, ka dhe një funksion pedagogjik, ajo është një libër i hapur ku njeriu mund të shikojë Krijuesin. Me bukurinë, harmoninë dhe bujarinë e saj, ajo tregon se Zoti krijues është i mirë dhe i nxit njerëzit ditë për ditë ta lavdërojnë Atë me sinfoninë e jetës, siç na fton psalmisti “Lavdërojeni Zotin prej qiejve, lavdërojeni në më të lartat… lavdërojeni Zotin nga toka, mbretër të tokës dhe popuj të gjithë, prijës dhe gjithë gjykatës të tokës” (Psalmi 208). Në të kundërt, kur njerëzimi, me pabesinë tij, kërkon të sfidojë Zotin, është natyra vetë që e shfaq zemërimin e Perëndisë: “Sepse zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli për çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve, që mbysin të vërtetën me padrejtësi, meqenëse ajo që mund të njihet prej Perëndisë, është bërë e dukshme në ta, sepse Perëndia ua ka shfaqur atyre. Në fakt, cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pafalshëm” ( Rom. 1:18-20).

Perëndia, në thelb, është dashuri, por dashuria bashkëpunon me drejtësinë dhe drejtësia me qortimin dhe ndëshkimin nëpërmjet katastrofave natyrore. Katastrofat natyrore i zbulojnë njeriut tri gjëra: mëkatin, logjikën që mëkati meriton ndëshkim dhe ekzistencën e Zotit, Gjykatësit të drejtë, i Cili gjykon por edhe shpëton. Në Dhiatën e Vjetër thuhet: “Unë jam një Perëndi xheloz që dënoj paudhësi në të tretin dhe në të katërtin brez për ata që më urrejnë, por jam dashamirës për ata që më duan” (Eksodi 20:5). Nëpërmjet ndëshkimit të dhunshëm, njeriu lan mëkatet e tij, pendohet dhe korrigjohet duke ndërprerë të keqen dhe duke mos ua lënë atë si trashëgimi fëmijëve.
Ka shumë fakte për katastrofat natyrore globale të cilat u lejuan për shkak të mëkateve të njerëzve. Për shembull, ajo e Noes ku, për shkak se toka u mbush me dhunë dhe njeriu u kthye vetëm në “mish” si kafshë, ajo u përmbyt, ose si ajo e Sodomës dhe e Gomorës u dënuan me zjarr dhe squfur nga qielli, sepse njerëzit e ligjëruan shthurjen, homoseksualitetin dhe çdo perversion. Edhe koha e sotme e këtij brezi, pret katastrofa biblike, ashtu si na e paralajmëron Zoti Krisht: “Dhe, ashtu siç ndodhi në kohën e Noes, ashtu do të ndodhë edhe në ditët e Birit të njeriut. Njerëzit hanin, pinin, martonin dhe martoheshin, deri ditën kur Noeu hyri në arkë; dhe erdhi përmbytja dhe i zhduku të gjithë. Po kështu ndodhi në kohën e Lotit: njerëzit hanin, pinin, blinin, shitnin, mbillnin dhe ndërtonin; por, ditën kur Loti doli nga Sodoma, ra shi zjarri e squfuri nga qielli dhe i zhduku të gjithë” (Luk. 17:26-29). Kjo kohë ka ardhur, sepse dhuna dhe shthurja janë ligjëruar si diçka e “natyrshme” në këtë brez brezi të pabes dhe imoral.

Katastrofat natyrore konsumojnë gjithmonë pasuritë e padrejta, që fitohen në kurriz të të tjerëve si me vjedhje pronash, mospagimi i pagës së punëtorit që thërrasin deri në vesh të Zotit, tregtia dhe fitimi i pandershëm dhe në dëm të njerëzve, si prostitucioni, droga. Kjo është më se e vërtetë, sepse asnjë individ apo shtet nuk mund ta ndërtojë mirëqenien e tij në kurriz të të tjerëve dhe me gjakun e tyre; drejtësia hyjnore vonon, por nuk harron ashtu si na thuhet në Shkrimin e Shenjtë: “Toka do të lëkundet si një i dehur, do të tronditet si një kasolle. Mëkati i saj rëndon mbi të, do të rrëzohet dhe nuk do të ngrihet më” (Isaia 24:20). Do të indinjohet kundër tyre uji i detit, ndërsa lumenjtë do të përmbyten papritur” (Urtësia e Solomonit 5:15).

Por shumë njerëz, edhe kur ndëshkohen, në vend që të pendohen, ankohen dhe bëjnë fajtor Zotin, ashtu siç thuhet te Fjalët e Urta: “Njerëzit e këqij nuk e kuptojnë drejtësinë.”( Fjalwt e urta 27:5). Por asnjë e keqe nuk vjen prej Zotit, që është i gjithi mirësi, por gjithçka vjen si pasojë e mëkatit dhe e lakmisë, sepse: “Askush kur tundohet të mos thotë: “Jam tunduar nga Perëndia, sepse Perëndia nuk mund të tundohet nga e keqja, dhe ai vetë nuk tundon asnjeri. Por secili tundohet i udhëhequr dhe i mashtruar nga lakmia e vet. Pastaj lakmia, pasi mbarset, pjell mëkatin dhe mëkati, si të kryhet, ngjiz vdekjen”( Jakovi 1:13-15).

Ndëshkimi natyror kërkon të na thotë se mëkati shpaguhet dhe është një ftesë për t’u kthyer te Zoti. Por, në rast se zemrat e njerëzve nuk kthehen te Zoti, ndëshkimi i përkohshëm i paraprin ndëshkimit përfundimtar, kur nuk ka më kthim, ashtu si thuhet: “Kurse për frikacakët dhe të pabesët, dhe të neveritshmit dhe vrasësit, dhe kurvëruesit, dhe magjistarët, dhe idhujtarët, dhe gjithë gënjeshtarët, pjesa e tyre do të jetë në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur, që është vdekja e dytë” ( Zbulesa 21: 8).

Katastrofat natyrore kërkojnë të na thonë edhe këtë gjë shumë esenciale:Në këtë jetë ne jemi të përkohshëm dhe të pasigurt dhe askush nuk mund të mburret me pasurinë dhe qytetërimin e tij, sidomos kur ato themelohen dhe ngrihen mbi padrejtësinë, sepse ato mund të humbasin në një çast; kjo gjë na ndihmon që të vijmë në vetë dhe të mos harrojmë se jemi krijesa të përkoshme, që varemi nga Krijuesi:“Sepse dita e Zotit të ushtrive do të vijë kundër çdo gjëje krenare dhe kryelarte dhe kundër çdo gjëje që ngrihet… Kryelartësia e njeriut do të ulet dhe krenaria e njerëzve të shquar do të përulet; vetëm Zoti do të lartësohet atë ditë… kur do të ngrihet për ta bërë tokën të dridhet. Mos kini më besim te njeri, në flegrat e të cilit nuk ka veçse një frymë; si mund të mbështetesh tek ai?”( Isaia 2:12-22).

Katastrofat, që po ndodhin gjithnjë e më tepër në këtë kohë, po marrin një karakter profetik eskatologjik dhe po na tregojmë se kemi hyrë në shenjat apokaliptike për njerëzimin edhe botën; na paralajmërojnë se njerëzimit po i mbaron koha e mëshirës dhe po afrohet koha e gjykimit, ashtu siç i ka profetizuar goja e pagabueshme e Krishtit: “Dhe do të ketë shenja në diell, në hënë dhe në yje, dhe mbi tokë ankth popujsh, në përhumbjen prej gjëmës së detit dhe të valëve të tij; njerëzit do të mpaken nga frika dhe nga pritja se çfarë do ta pllakosë botën, sepse fuqitë qiellore do të lëkunden” (Luka 21:25- 26). “Sepse Biri i njeriut do të vijë me lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e tij; dhe atëherë ai do ta shpërblejë secilin sipas veprës së tij”( Mateu 16:27).

Që elementet e botës natyrore do të shkatërrohen, e vërteton edhe Ligji i i dytë i termodinamikës ose Entropisë që pohon se i tërë universi në mënyrë të pashmangshme shkon drejt gjendjes më të çrregullt, më të paplanifikuar dhe paorganizuar. Kozmologjia përgjigjet se gjithësia materiale, natyra, nuk është e përjetëshme, ajo do të ketë fund, edhe pse ky fund është i largët. Gjithësia nuk do t’i shpëtojë dot këtyre dy vdekjeve të mundshme: vdekjes nga të ftohtët ose vdekjes nga zjarri.

Kjo aksiomë shkencore i jep absolutisht besueshmëri dëshmive Biblike për fundin e kësaj bote kontradiktore, të prishur nga mëkati, lakmia dhe zjarri dhe restaurimin e saj në Qiellin dhe Dheun e ri ku Perëndia Triadik, Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë, njerëzimi i shpëtuar dhe natyra do të rrinë së bashku në harmoni dhe përjetësi: “Dhe dita e Zotit do të vijë si një vjedhës natën; atë ditë qiejt do të shkojnë me krismë, elementet do të shkrihen nga të nxehtit dhe toka dhe e veprat që janë në të do të digjen krejt” (II Pjetrit 3:10). “Pastaj pashë një fron të madh të bardhë dhe atë që ulej mbi të, nga prania e të cilit iku dheu dhe qielli, dhe nuk u gjet vend për ta” (Zbulesa 20:11). “Dhe pashë një qiell të ri dhe një dhe të ri; sepse qielli i parë dhe dheu i parë kishin shkuar, dhe deti nuk ishte më. Dhe unë, Joani, pashë qytetin e shenjtë, Jerusalemin e ri, që zbriste nga qielli, nga Perëndia, që ishte bërë gati si nuse e stolisur për burrin e vet. Dhe dëgjova një zë të madh nga qielli që thoshte: ‘Ja tabernakulli i Perëndisë me njerëzit! Dhe ai do të banojë me ta; edhe ata do të jenë populli i tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndia i tyre. Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan. Dhe ai që rrinte mbi fron tha: ‘Ja, unë i bëj të gjitha gjërat të reja’. Dhe më tha: ‘Shkruaj, sepse këto fjalë janë të vërteta dhe besnike”’(Zbulesa 21:1-4).

Prandaj, është koha që të ndalojmë së gabuari, të ulemi, të meditojmë dhe të reflektojmë sa më shumë të jetë e mundur, me qëllim që të korrigjojmë gabimet tona dhe të pajtohemi me Zotin, me veten, me të afërmin, me natyrën dhe me mjedisin, përpara se të jetë shumë vonë.