Përse duhet të gëzojmë?

Kjo betejë vendosi disa standarde lirie dhe fuqie të shoqërisë civile shqiptare, të cilët nëse nuk ruhen në të ardhmen, do të provojnë se nuk kanë qenë të mbështetura në rrënjët e tyre, por në politikë.

Opinion

16/11/2013 11:27

Shqipëria u duk se mori frymë lirisht pas një fjalimi të Edi Ramës, që mbajti pezull frymën e shqiptarëve për gjysmë ore, jo vetëm për shkak të fuqisë së fjalës dhe stilit të tij, por për shkak të fjalisë së fundit.

Të parët që shpërthyen në një gëzim të sinqertë ishin të rinjtë e shoqërisë civile para kryeministrisë, të cilët kishin betejën e tyre. Ata fituan dhe ndjeheshin realisht të fituar.

Mes tyre pashë dy personazhe publikë të Tiranës, gruan e Lulzim Bashës dhe kunatin e tij, që jo vetëm nuk gëzuan dot, por gati u ra të fikët kur kryeministri tha se e kemi të pamundur t’i bashkohemi këtij operacioni. Duket se ata ishin aty për të pritur atë që kishin mbjellë, por nuk ia dolën dot. Lulzim Basha, i cili duket se akoma nuk e kishte mbledhur veten nga intervista e ambasadorit Arvizu kundër tij, më shumë vazhdoi t’i përgjigjej atij, se sa qëndrimit të Edi Ramës.

Më pas vrapoi të dukej i fituar Sali Berisha dhe bashkëpërjetuesja e tij, Jozefina Topalli, të cilët e  konsideruan fitore të tyre “Jo”-në e Ramës dhe kërkuan dorëheqje të tij. Edhe pse neveritës, ekzaltimi i tyre tregonte realisht se ata nuk ishin duke kërkuar transparencë nga qeveria, por një përplasje të saj me SHBA. Duhet pranuar se një përplasje ndodhi, por nëse qeveria gërvishti imazhin e saj, opozita u fundos në kursin e saj tinëzar për të siluruar marrëdhëniet me SHBA përmes manipulimit të protestave të sinqerta të shoqërisë civile.

Por përtej këtij inventari fituesish dhe humbësish, është koha që shqiptarët të marrin peshën e përgjegjësisë që buron nga ky vendim. Kjo betejë vendosi disa standarde lirie dhe fuqie të shoqërisë civile shqiptare, të cilët nëse nuk ruhen në të ardhmen, do të provojnë se nuk kanë qenë të mbështetura në rrënjët e tyre, por në politikë.

Standardi i parë, për të cilin u bë beteja, kishte në fasadë “Shqipërinë e pastër”, por nuk ishte një standard ekologjik, por politik. Them politik, pasi Shqipëria nuk është sonte më e pastër pse ka refuzuar një partneritet thuajse ushtarak me një vend të madh, por është më entuziaste nga ideja se qytetarët kanë fituar një betejë për një shqetësim të tyre. Kjo është fitore politike, është standard lirie, e prodhuar nga kjo qeveri, dhe jo standard ekologjik apo jetësor. Shqipëria është një vend i ndotur jo vetëm me plehra dhe ndotje urbane, por me vatra toksike, ajër të pistë, naftë me squfur dhe dhjetëra elementë të tjerë urbanë dhe natyrorë. Shqipëria është një vend i pasigurt, ku çdo ditë vdesin katër ose pesë vetë, disa prej të cilëve nga aksidentet, makinat e pasigurta, standardet e rrugëve dhe raporti me ligjin. Standardi i kësaj proteste nuk ishte një fitore ndaj kësaj ndotje të Shqipërisë, por një standard politik ndaj qeverisë. Kjo nuk na bën më të pastër dhe të sigurt në vendin tonë, por na bën më të qetë politikisht, pasi nuk kemi në krye një kryeministër që të vret po i dole para zyrës siç bënte Sali Berisha.

Standardi i dytë, që vendosi ky zhvillim, është raporti me të shkuarën. Sali Berisha nuk ia doli dot të bëhej lider fizik i protestës. Protestuesit e zbuan atë thuajse si qen nga sheshi, jo pse ka humbur zgjedhjet, por se ai u kujton shqiptarëve një histori të zezë të vrasjes së 26 qytetarëve për biznesin e të birit të tij dhe shkatërrimin e shtetit shqiptar për t’i dalë zot atyre vrasjeve nga etja për lekë. Ata që ishin në protestë ishin realisht të zemëruar me faktin që Sali Berisha është ende një njeri i lirë dhe që nuk ka përfunduar pas dyerve të burgut për atë që ka bërë. Zemërimi qytetar ishte i madh më shumë nga makthi i humbjes së shpresës se politika do ta ndryshojë këtë vend, se sa nga rreziku i lëndëve kimike. Në protestë, përveç pjesës manipulative të opozitës, ishin të rinj dhe të reja që kanë votuar ndryshimin më 23 qershor, dhe një pjesë e madhe e së majtës së zhgënjyer nga Edi Rama që nuk po përdor dorën e hekurt për të çuar para drejtësisë Sali Berishën. Është një protestë instiktive për shkak të sinjaleve jo të forta që qeveria e re ka dhënë në raport me pretimin për të ndëshkuar ata që ishin në pushtet. Nëse Shkëlzen Berisha do të ngjiste sot shkallët e prokurorisë për duart e zgjatura në gjakun e Gërdecit, në shesh do kishte më pak zemërim për qeverinë dhe më shumë shpresë për të ardhmen. Nëse Sali Berisha dhe Lulzim Basha do të ishin duke u hetuar dhe gjykuar për vrasjet në bulevard, m’u atje ku u ulën vetë pa u hyrë gjemb në këmbë, ata të rinj që do ishin në bulevard, nuk do ta përjetonin me kaq gëzim fitoren e tyre, pasi do t’u dukej diçka e zakonshme. Ata ndjehen shumë të fituar se kanë vrarë frikën që ngjalli Sali Berisha për të protestuar në atë bulevard. Edi Rama nuk ka hequr simbolikisht vetëm gardhin e kryeministrisë, por dhe frikën për t’i qëndruar përballë kryeministrit dhe për t’u dëgjuar prej tij.

Standardi i tretë, që vendosi kjo protestë ishte vendimi i opozitës për të prodhuar një përplasje me SHBA. Shtetet e Bashkuara të Amerikës bënë publike raportet e tyre me Edi Ramën dhe Lulëzim Bashën në këtë histori. Ata pranuan se të dy liderët politikë shqiptarë i kishin dhënë fjalën për këtë projekt. Edi Rama e pranoi publikisht dhe mbrojti “PO”-në e tij për SHBA, por në fund respektoi fuqinë e protestës, kurse Lulzim Basha është në një përpjekje donkishoteske për t’i gënjyer të gjithë, edhe SHBA, edhe PD, edhe opinionin publik. Mashtrues i rëndomtë siç është ai, i ka thënë të tjera gjëra SHBA, të tjera gjëra Berishës dhe të tjera gjëra po u thotë shqiptarëve. E vërteta është se ai dhe Genc Pollo jo vetëm kanë pranuar ofertën e SHBA, por duket se janë distancuar pranë SHBA dhe nga Berisha me shpresë se nuk do të dilte e vërteta në publik. Dhe tani nën panik bëjnë deklarata qesharake, sikur u dhimbset prishja e partneritetit me SHBA. Është e qartë se në këtë betejë, kishte një dimension antiamerikan, që opozita e injektoi, e udhëhoqi dhe e demonstroi në mënyrë të paskrupullt, e frikësuar nga përfitimet financiare dhe politike që mund të kishte qeveria dhe shteti shqiptar. Nga ana tjetër, Basha që i kërkonte transparencë Edi Ramës, rezultoi që kish gënjyer PD, Berishën dhe veten në gjithë këtë proces, duke dëshmuar një mungesë personaliteti të frikshme.

Sidoqoftë, në fund të kësaj historie, SHBA ka një qëndrim të matur ndaj “JO”-së shqiptare, por kjo nuk duhet marrë me entuziazëm. SHBA nuk ka ndërmend t’i bëjë keq Shqipërisë, por kjo nuk mjafton. E keqja jonë bëhet goxha e madhe, mjafton që SHBA të mos jetë protektorja jonë në Ballkan. Ne do të kemi probleme serioze tani e tutje me grricjet e fqinjëve tanë me statusin për në BE, me avancimin e historisë së pavarësisë së Kosovës, jo se SHBA do na pengojë, por nuk na e ka borxh të jetë një avokate gratis e problemeve tona. Miqësia e një vendi të vogël dhe të varfër, si Shqipëria, me SHBA, nuk mund të jetë një miqësi pa kushte dhe detyrime dhe ne duhet të bëhemi të përgjegjshëm për këtë. Përplasja duket se ka kaluar pa shumë dëme të mëdha, por një anije mund të mbytet dhe nga një e krisur në kuvertën e saj. Ndaj duhet të mendojmë seriozisht se si ta rikuperojmë në themel përplasjen, të cilën na e bëri dhuratë opozita e Sali Berishës.

Së fundmi duhet thënë se e vetme arsye për të gëzuar është që sot kemi vendosur një standard të dëgjimit të zërit të qytetarëve, dhe i kemi dhënë fund ciklit të arrogancës së pushtetit dhe vrasjeve në protesta. Përtej kësaj kemi fituar një politikan si Edi Rama, të cilit i duhet ende rrugë  të bëhet edhe një shtetar i mirë siç është një politikan i mirë. Kemi fituar po ashtu të drejtën të themi se kryetari real i PD-së nuk është Lulëzim Basha por Sali Berisha. Dhe mbi gjithçka kemi fituar të drejtën ti kujtojmë qeverisë se sa më ngadalë të veproj rreth ndëshkueshmërisë së atyre që kanë abuzuar me pushtetin në këtë vend, aq më plot do ti ketë sheshet me njerëz të zemëruar, edhe pse mund të kenë votuar për të.

Protesta dëshmoi përveç pjesës së manipuluar të Sali Berishës, se në rrugë ishin plot të majtë, të cilët në mungesë të një shprese për kauzat e tyre pas 23 qershorit, rrëmbyen një kauzë dhe shprehën zemërimin në rrugë. Kjo duhet marrë seriozisht! Ata nuk ishin aty aq shumë të frikësuar pse do demontohej sarinë, por që ende qeveria nuk ka demontuar Salinë.