Përse duhet rinovuar PD?

Suksesi i çdo drejtuesi të ri ekipi, sportiv apo politik, varet nga zgjedhja që bën dhe aftësia për ta përshtatur atë me zhvillimet në vend.

Opinion

03/03/2014 16:00

I ardhur në krye të Partisë Demokratike në korrik 2013, në një moment tejet delikat të historisë së saj dhe zëvendësues i politikanit më të fuqishëm që ka njohur Shqipëria e pas 1990-s, Lulzim Basha ngjan me ata trajnerët e futbollit që marrin përsipër misionin e rimëkëmbjes së një ekipi të famshëm, por që është në ditë të turbullta dhe kritike.

Në këto raste, trajneri i ri, përtej famës personale që përcjell, vlerësohet për prurjet e reja, emrat që do hyjnë si rishtarë dhe për harmonizimin e atyre që mbeten me lojtarët e rinj.

Suksesi i çdo drejtuesi të ri ekipi, sportiv apo politik, varet nga zgjedhja që bën dhe aftësia për ta përshtatur atë me zhvillimet në vend.

Me siguri që Basha është duke përgatitur ekipin e tij, por ajo që bie në sy është fakti që zgjedhjet e reja janë të vonuara; dhe siç ndodh gjithnjë me gjërat që zvarriten dhe nuk kryhen në kohën e duhur, është krijuar një lloj rutine që shfaqet aty-këtu në shtyp me tezat se ndryshimet nuk do të sjellin gjë dhe që PD mirë është edhe me ekipin e vjetër që po tenton të përçojë filozofinë e një kryetari të ri.

E para, zgjedhja e ekipit të ri në PD është e vonuar dhe jo në harmoni me zhvillimet postzgjedhore. Historia politike shërben shpesh si një shembull i mirë për të krahasuar situatat e ngjashme. Në zgjedhjet e vitit 1992, PS e atëhershme, për arsye edhe specifike, e kishte kryer rinovimin e saj përpara zgjedhjeve të 22 marsit.

Si pasojë, në Parlamentin shqiptar Grupi i PS përfaqësohej me më shumë se 75% të deputetëve që hynin për herë të parë, midis tyre edhe emra 23–24-vjeçarësh si Ilir Meta, Pandeli Majko apo Ndre Legisi. Ky ekip hyri në betejën politike pa mbajtur mbi shpinë përgjegjësinë që paraardhësit e tyre në parti kishin në raport me shoqërinë shqiptare.

Në vitin 1997, pas humbjes në zgjedhjet e sforcuara të 28 qershorit, PD e kompletoi ekipin e saj të ri brenda nëntorit. Një ekip që la pas shpine përgjegjësinë që PD kishte pasur në Ekzekutiv dhe që u mbështet kryesisht te deputetë të rinj. Emra si Topalli, Pollo apo Bode nuk kishin pasur thuajse asnjë përgjegjësi konkrete në forumet paraardhëse.

Në vitin 2005, PS i zgjodhi drejtuesit e saj në tetor. Në kushte të ndryshme nga ato të PS së ’92-shit dhe të PD së ’97, Rama ndërtoi një ekip të ri kryesisht në forume dhe në imazhin mediatik të partisë. Ekip që i përfaqësuar nga Tahiri, Shalsi, Beqja, Balla, u bë baza e rinovimit të Grupit Parlamentar në qershor 2009!

Edhe pse shkurti i vitit 2014 mbeti pas, PD ende nuk ka një ekip të ri dhe gara mbetet pezull. Ideja se shtyrja e garës do t’i motivojë më shumë aspirantët për postet e larta drejtuese në parti mund të ketë logjikë, por njëherazi ajo mund t’i japë opozitës së Bashës më shumë një sens justifikimi për atë që ka ndodhur, sesa denoncimin e qeverisjes aktuale. Ideja se denoncimi aktual mund të bëhet me përgjegjësit që humbën zonat e tyre më 23 qershor është në mos naive, e dëmshme për PD.

E dyta, rinovimi i PD është mëse jetik për këtë parti dhe për politikën shqiptare në përgjithësi. Qarkullimi i elitave nuk ka qenë arma më e fortë e PD.

Nga ana tjetër, largimi i Berishës, një lider i lidhur fort me themelimin e partisë, që i kish dhënë asaj frymën dhe fizionominë e tij, kërkon patjetër që Basha të përshtasë partinë me filozofinë e tij politike. Kjo bëhet kryesisht përmes një elite të re në parti, një elite që përcjell frymën e tij. Vetëm kështu PD do krijojë fizionominë e re të nevojshme për shoqërinë shqiptare të 2017-s e më tej.

Ardhja e një brezi të ri politik shërben si frymëzim për të ringritur entuziazmin e gjymtuar të militantëve të partisë dhe për ta afruar partinë me “brezin gri”, jetik për fitoren e zgjedhjeve. Drejtuesit që nuk janë direkt përgjegjës për dështimet e së shkuarës, qoftë edhe për humbjen në zona të caktuara elektorale, janë pa dyshim të pakompleksuar dhe më dinjitozë përballë elektoratit shqiptar. Ata shërbejnë në këtë rast edhe si përfaqësues të një brezi tjetër, atij që hyn në politikë rishtas dhe që në fund të mandatit numërohet në afro 250 mijë votues. Ata janë më pranë problematikës dhe interesave të këtyre votuesve të rinj, që te këta drejtues duhet të shohin të reflektuar vetveten.

Dhe e fundit, politika është ciklike. Nuk ka asnjë dyshim se një brez e mbyll ciklin e të qenit protagonist pas një periudhe kohe, qoftë kjo një, dy apo më shumë mandate elektorale. E mbyll shpeshherë edhe jo për faj të tij, por sepse evolucioni i shoqërisë është i tillë. Një grup ecën deri në një pikë dhe ka nevojë për prurje tjetër që të ecë më përpara. Tentativa për të mbajtur një gjendje të ngrirë, të kujton një shprehje të vjetër popullore që thotë: uji i ndenjur qelbet!

Nuk ka asnjë dyshim që rinovimi bëhet përmes një procesi konkurrence, dhe ky proces nuk përjashton figurat e rëndësishme dhe me reputacion në parti. Qoftë në PD, qoftë në PS ka figura që kanë mbijetuar që në fillim të viteve ’90 dhe vijojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në këto parti.

Pa dyshim që do të vijojnë ta luajnë. Ata kanë pasur aftësinë të mbijetojnë ose kanë qenë më të zotët dhe më të aftë politikisht se sa ata që vitet dhe konkurrenca i la mbrapa. Madje në shumë raste kanë qenë më të zotët edhe se prurjet e reja. Ata që janë të zotë, pa dyshim që do të mbeten në vijën e parë. Të tjerët s’ka nevojë as të ankohen dhe as të shqetësohen. Mund të vijojnë të militojnë dhe të kontribuojnë për PD edhe duke qëndruar në vijën e dytë dhe duke iu lënë vend në rreshtin e parë atyre që janë më të motivuar, më të pastër e, pa dyshim, më të zotët se sa ata!

 

(Panorama)