Përrallat politike me përfundim tragjik

Nuk ka pasë moment më të keq politik për ta çelë vetë ne temën e ndryshimit të kufijve të Kosovës dhe Serbisë me shkëbimin e territoreve midis dy shteteve.

Lajme

26/01/2017 11:03

Paradokset nuk kanë të ndalur në këtë politikën dhe shoqërinë tonë kosovare.
Një herë ndër ne, vetëm dhjetë-dymbëdhjetë ditë më parë, kryelajmi vendor dhe ndërkombëtarë ishte veprimi i domosdoshëm politik dhe kushtetues, i autoriteteve më të larta të Kosovës, në mbrojtje të integritetit të shtetit të Kosovës, duke dërguar njësitë speciale të Policisë së Kosovës në kufirin me Serbinë.
Për më shumë, në ditët vijuese, pas asaj të shtune të 14 janarit, kryepolitikanët e Kosovës nënvizuan qartë që ngjarjet rreth trenit janë një konfirmim shtesë që Qeveria e Serbisë ka Plan për të invaduar ushtarakisht Kosovën, për ta aneksuar Veriun e Kosovës, dhe për ta imponuar kështu de fakto ndarjen territoriale të Kosovës.
Veriu i Kosovës në këtë kontekst made u krahasua me Krimenë.
Në kohën pra kur pas gati tri vitesh erdh në shprehje një pajtueshëmëri në skenën politike të vendit për çështjen e trenit dhe kërcënimet e Serbisë, dhe kur për më shumë, ka gjasa që të ketë konsensus edhe për disa tema të tjera të rëndësisë sipërore (çfarë është transformimi i FSK-në në Ushtri të Kosovës), këndejpari plasi debati për ndryshimin e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë, si zgjidhje përfundimtare e kontestit qindvjeçarë midis Kosovës dhe Serbisë.
Kështu pra, Veriu i Kosovës, në këto ide, propozime dhe plane, do t’i takonte Serbisë, ndërsa Lugina e Preshevës do t’i bashkohej Kosovës. Dhe pastaj, të gjithë do të jetonin të gëzuar dhe të lumtur. Si në fund të përrallave.
Mbase nuk ka pasë moment më të keq politik ndër ne për ta çelë vetë ne këtë temë, e cila gjithmonë, pa marrë parayshë kush e ka udhëheq Qeverinë e Serbisë, është Plani rezerv i Beogradit për mbylljen e çështjes së Kosovës.
Ne, pra, në këtë çështje, rezonojmë në këtë mënyrë: Serbia, e cila de jure e kontrollon Luginën e Preshevës dhe e cila de fakto ende mbanë peng Veriun e Kosovës, do të hiqte dorë nga Lugina e Preshevës, përmes të cilës kalojnë linjat kryesore të trafikut tokësor dhe hekurudhor që lidhin Serbinë me Maqedoninë dhe Jugun e Evropës, për ta marrë Veriun e Kosovës. Natyrisht, në vazhdim të këtyre qëndrimeve dhe vlerësimeve tona, ne madje mendojmë që Serbia do të ishte e gatshme edhe ta njeh pavarësinë e Kosovës.
Sërish pastaj, të gjithë do të ishin të lumtur dhe të gëzuar. Kosova do të hynte shpejt në OKB, nuk do ta kishte kush ta ndalë  (pos ne vet, dhe këtu jemi treguar goxha të aftë), rrugëtimin tonë për tu inkuadruar në Paktin NATO dhe në BE, etj.etj.
Çuditërisht, po ata politikanë, analistë dhe opinionistë të cilët në vazhdimësi thonë që Serbisë nuk mund t’i zihet besë në asnjë çështje, në bisedimet e Brukselit, qoftë edhe në ato të natyrës fare teknike, këtu janë të gatshëm të besojnë që Serbia do të jetë qind për qind korekte në përmbushjen e këtij varianti, duke u pajtuar për shkëmbimin e territoreve dhe duke na njohur, madje, si shtet.
Në realitet, do të ishte mrekulli e dorës së parë nëse Serbia njëmend do të ishte e gatshme të heq dorë nga një territor të rëndësisë strategjike për te  (çfarë është Lugina  Preshevës), vetëm për hirë të krijimit të rrethanave të papara historike dhe politike në relacionet shqiptaro-serbe.
Pastaj, nuk ka fare gjasa që ky ndryshim i kufijve, do të pasohej me njohjen e Kosovës nga Serbia.
Tutje, nëse ne dhe Serbia do të pajtoheshim madje, me vullnet të mirë  (gjë që është përtej çdo imagjinate, së paku në rrethanat e tanishme), ta trajtojmë normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë në këtë mënyrë, është e sigurtë që ky ndryshim i kufijve do të pasohej me kërkesa të njejta në disa shtete të tjera të dala nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, dhe madje, do të mirrej si model edhe për zgjidhjen e çështjes së Irakut dhe të Sirisë. Ballkani Perëndimorë, me gjasë, do të shndërrohej në rrëmujë.
Historia e jonë, si shqiptarë të Kosovës, dëshmon fare qartë, me shumë kapituj tragjik, që fati jonë ka qenë në masë të madhe reflektim i ndryshimeve të mëdha rajonale dhe evropiane. Vetëm një herë ne kemi ditur të gjindemi si duhet në këto ndryshime, pas vitit 1989-të e tutje. Vetëm një herë Serbia ka bërë gabim të madh në rreshtimin e saj kundër këtyre ndryshmeve, pikërisht pas vitit 1989-të. Kështu zatën ndodhi çlirimi dhe pavarësimi i Kosovës.
Duket që po e harrojmë këtë mësim të historisë.