Përplasjet LDK-AAK në Facebook për liberalizimin e vizave

Një deklaratë e Haradinajt që fajësoi LDK-në se po punon kundër liberalizimit të vizave, ka nxitur një debat të ashpër ndërmjet LDK-së dhe AAK-së.

Lajme

21/05/2018 23:35

Kryeministri Haradinaj në një intervistë në televizionin publik të shtunën, kishte thënë se LDK-ja po punon te partitë popullore evropiane kundër liberalizimit të vizave.

“Mirë është me u fokusu, me i ndihmu qeverisë në këtë rast për liberalizim të vizave. Mirë është nga LDK-ja mos me gabu me ndonjë porosi që e çojnë te Partitë Popullore, a diku. Mos me çu porosi të gabuara që mos me na u aprovu liberalizimi i vizave. Nuk është mirë me dhënë skepticizëm që p.sh.: nëse ndodh liberalizimi kish me pasë refugjatë. Nuk është kështu, nuk do të ketë refugjatë”, kishte thënë kryeministri i vendit.

E ndaj kësaj kishte reaguar menjëherë dhe ashpër nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Në një postim në facebook Haziri kishte thënë se partia e tij po punon që të hiqen vizat.

“Ne kemi nenvizuar këtë qëllim dhe fakti që LDK ka votuar për largimin e kushtit të fundit politik – Demerkacionin me Malin e Zi, tregon çfarë ne kemi bërë dhe ne jemi ata që po e sjellim liberalizimin e vizave. Zotni kryeministër, pengesat i ke brenda qeverisë dhe partner e tuaj qeverisës. Aty kërkoje fajtorin e agjendën shtetformuese dhe integrimet euroatlantike”, kishte shkruar Haziri.

Ky ishte vetëm fillimi i një debati që do të shpërthente në facebook ndërmjet zyrtarëve nga të dyja partitë.

Time Kadriaj deputete e AAK-së kishte shkruar në profilin e saj në facebook, se partia e Isa Mustafës po flet te ndërkombëtarët  kundër heqjes së vizave.

“Vizat është dasht të liberalizohen gjatë qeverisjes tuaj por ju ishit shumë të dobët dhe dështuat. Ne nuk po dështojmë dhe kjo është mirë per Kosovën. Sipas jush le të pëson shteti dhe populli veq që ju nuk jeni në pushtet. Po për besë kjo spo me qudit. Kurgja ma mirë nuk pritet prej jush!”, ka shkruar Kadriaj.

Në gjithë këtë përplasje kishte ndërhyrë edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.

Hoti kishte akuzuar Haradinajn se është ai që ka lënë qytetarët pa liberalizim të vizave.

“I gjendur në një situatë tillë, z.Haradinaj fajëson LDK-në se po pengon liberalizimin e vizave. Sikur z.Haradinaj të mos përdorte dhunë të shfrenuar ndaj institucioneve gjatë mandatit të kaluar, sot qytetarët e Kosovës do të udhëtonin të lirë. Ai duhet të ketë dinjitetin të pranojë këtë fakt”, ka shkruar Hoti.

Debati vazhdoi. Me deklaratën e Hotit reagoi deputetja tjetër e AAK-së, Teuta Haxhiu.

Haxhiu kishte thënë me ironi se “Hoti nuk ia qëllon kurrë”

“Tani jemi edhe më të sigurtë që do të ndodhë liberalizimi i vizave në afatin edhe më të shpejt ngase ka fol Avdullah Hoti- i cili flet po kurr nuk ja qëllon!”, shkroi Haxhiu.

Në fakt përplasjet ndërmjet LDK-së dhe AAK-së kanë qenë prezente prej kur kjo qeveri ka nisur punën.

Partia e Isa Mustafës e ka akuzuar Haradinajn se po merr vendime të dëmshme për vendin, duke kërkuar edhe zgjedhje të jashtëzakonshme. /Lajmi.net/