Përplasje e ashpër në Kuvend – Molliqaj, Vetëvendosjes: Lëreni lojërat, se…

Debat të ashpër ka nxitur kërkesa e Vetëvendosjes për shkarkimin e Aida Dërgutit mes Glauk Konjufcës dhe Daradn Molliqajt.

Lajme

01/06/2018 15:15

Glauk Konjufca duke arsyetuar kërkesën e VV-së për shkarkimin e Aida Dërgutit ka thënë se kjo çështje nuk ka të bëjë asgjë personale, por për një gjë kushtetuese dhe mohimin e VV-së që të përfaqësohet në kryesi.

Ai ka thënë se Kushtetuta përcakton se tri grupet më të mëdha parlamentare nga paritë shqiptare, kanë të drejtën e postit të nënkryetarit.

Konjufca ka thënë se Dërguti nuk mund ta përfaqësojë PSD-në si nënkryetare e Kuvendit, raporton lajmi.net.

Aida Dërguti ishte zgjedhur nënkryetare e Kuvendit si përfaqësuese e Vetëvendosjes.

Ndërsa deputeti nga Partia Socialdemokrate e Kosovës, Dardan Molliqaj ka thënë se do të ishte mirë që dy partitë të merren vesh për këtë çështje.

Ai ka thënë se kërkesa për shkarkimin e Dërgutit është e padrejtë. Sipas tij Kushtetuta thotë se e drejta e propozimit i takon tri grupeve më të mëdha parlamentare.

Molliqaj i ka propozuar VV-së që këtë çështje ta dërgojnë në Kushtetuese. Madje ai ka thënë se VV duhet t’i lërë lojërat politike. Molliqaj ka paralajmëruar Vetëvendosjen se nëse dëshirojnë lojëra do të kenë dhe se ai i ka përgjigjet për ta.

Deputeti i PSD-së u ka thënë ish-bashkëpartiakve të tij se nëse vazhdojnë kësisoj, ai do t’ua nxjerrë ‘letrat’, të cilat Vetëvendosje e di cilat janë.

“Kemi bo shumë të mira bashkë, kemi bërë edhe të këqija. Jemi grupe të ndara, pra mos i denigroni njerëzit”. /Lajmi.net/