Përplasja Vetëvendosje-PSD në tjetër nivel, ftohet Policia të ndërhyjë për lirim të pozitave

Komuna e Prishtinës ka ftuar gazetarët në një konferencë të jashtëzakonshme në të cilën kanë folur në lidhje me raportimet e mediave për një kurdisje të një tenderi në Ndërmarrjen Publike Banesore.

Lajme

06/06/2018 16:54

Dren Kukaj aksionar në këtë ndërmarrje tha se nga mediat e kanë kuptuar për kurdisje të tenderit për dhënien në shërbim të disa lokaleve

“Njëri person i thotë tjetrit se nëse ato kompani nuk fitojnë duhet të anulohet konkursi. Për neve ishte e paqartë pse ishte anuluar konkursi. Mandati i kryeshefit ekzekutiv dje kryetarit të Bordit  tashmë ka skaduar. Dhe dje na është publikuar një dëshmi se si është kurdisur një konkurs. Ne kemi kërkuar edhe nga Policia e Kosovës që ata persona t’i lirojnë zyrat”, tha Kukaj.

Ai potencoi se atyre si aksionarë iu është pamundësuar hyrja tek Ndërmarrja Publike Banesore.

“Është një situatë që disa persona jashtëligjshëm e kanë bllokuar Ndërmarrjen Publike Banesore. Krejt çka ne kërkojmë është që personat që do të qeverisin me këtë ndërmarrje të jenë të zgjedhur në mënyrë të ligjshme. Ata që janë sot iu ka skaduar afati. Po kërkojmë që të zgjidhen në mënyrë të rregullt ata që do të zgjidhen në krye të kësaj ndërmarrje”, tha Kukaj.