Përplasja me Ramën për Teatrin, Majko ofroi dorëheqjen

Një debat i ashpër i një nate me parë dhe mosvotimi i ligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar, bënë që Ministri i Diasporës Pandeli Majko t’i drejtohej zyres se kryeministrit Edi Rama që të premten në mëngjes. Burimet i thanë Top Channel se Majko i ofroi dorëheqjen kryeministrit, por ky i fundit mësohet se e ka refuzuar.

Lajme

06/07/2018 19:36

Majko shfyrtëzoi një telefonatë për t’u largua nga salla të enjten në mbrëmje vetëm pak para se të niste votimi për ligjin që i hap rrugën shembjes së Teatrit Kombëtar. Ky ishte vetëm epilogu i një diskutimi me ton dhe gjeste mes tij dhe Kryeministrit Rama, ku të dy dukeshin mjaft të irrituar.

Distanca e tyre nga kamerat e bën të pamundur të dëgjohet biseda, por sipas deputetëve të Partisë Demokratike që qëndrojnë të ulur pranë postacionit të kabinetit të qeveritar, Rama i është drejtuar Majkos me fjalët: “Mos më bëj numra, po nuk deshe të votosh, ik në shtëpi!” Pas kësaj, Majko duket në pamje ndërsa merr celularin, hap një telefonatë dhe del nga salla e Parlamentit pa marrë pjesë në votim.

Gjatë të premtes Majko nuk iu përgjigj interesimit të Top Channel për të shpjeguar se cfare ndodhi në Parlament dhe qëndrimin e tij për Teatrin Kombëtar.

Për të njëjtën godinë, Pandeli Majko ka pasur edhe një tjetër përplasje me Edi Ramën, kur në vitin 2002, atëherë kryebashkiaku Rama kërkonte ta prishte Teatrin duke e cilësuar “një muze për mbathjet e Violeta Manushit”. Në atë kohë Majko ishte Kryeministër i vendit dhe nuk pranoi planin e Ramës.

16 vjet më pas, demokratët i kërkuan Pandeli Majkos të tregojë të njëjtën koherencë. Por thirrjes publike të kreut të opozitës Basha, Majko iu përgjigj me një postim në Twitter, ku i pëlqen t’i rikujtojë vetes se ka qenë dy herë kryeministër i vendit. Përgjigjia e tij më shumë se politike, ishte një koment prej kritiku arti që jep këshilla për kalendarin artistik.

Të enjten e seancës parlamentare Majko ishte një prej ministrave që qëndroi më gjatë nga të gjithë në sallë, por nuk tha asnjë fjalë për teatrin.