Përpjekja e fundit

Të mërkurën, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë takohen në Bruksel për herë të fundit para zgjedhjeve lokale. Serbia pret që Vucic dhe Vulin të lejohen të vijnë në Kosovë më 31 tetor.

Lajme

28/10/2013 09:49

Delegacionet e Beogradit dhe Prishtinës, do të mundohen, të mërkurën, edhe një herë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, që të merren vesh për çështjet ende të pavendosura rreth zgjedhjeve lokale.

Gazeta beogradase “Novosti” raporton se delegacioni serb në këtë takim do të drejtohet nga Marko Djuric, Këshilltar i Presidentit të Serbisë.

Sipas kësaj gazete, kur kanë mbetur edhe një javë deri te zgjedhjet, procesi ende përcillet me “probleme të mëdha dhe obstruksione nga ana e Prishtinës”.

“Telashet po vazhdojnë rreth listës së votuesve, ‘mospastrimit’ të listës e cila është përplot me emra të personave të vdekur, pjesëmarrja e serbëve në punën e KQZ’së, por edhe bllokada e vizitave të zyrtarëve serbë në Kosovë”, raporton kjo gazetë.

Sipas Djuric, paralajmërimi i Prishtinës se do ta arrestojë Ministrin pa Portofol në Qeverinë e Serbisë, i ngarkuar për Kosovën, Aleksandar Vulin nëse ai tenton të hyjë në Kosovë, përbën një provokim “qëllimi i të cilit është që t’i dekurajojë serbët për të marrë pjesë në zgjedhje”.

Ndërsa vetë Vulin ka thënë se Prishtina, me të gjitha mënyrat po mundohet t’i shtyjë serbët drejt bojkotit të zgjedhjeve.

Beogradi pret që të respektohet marrëveshja për liri të lëvizjes dhe të realizohet vizita e paralajmëruar e ZëvendësKryeministrit të Parë të Serbisë Aleksandar Vucic dhe Ministrit Aleksandar Vulin, më 31 tetor.