Përpiqen t’i fshehin gjurmët e vrasjeve masive të qenve (Video)

Vrasja e qenve dhe djegia e tyre në strehimoren e tyre në fshatin Lutogllavë të Pejës, ku mediat raportuan edhe me pamje filmike nga kjo masakër, i ka shtyrë tre aktivistë për mbrojtjen e qenve që ta vizitojnë sot këtë strehimore.

Lajme

30/11/2014 00:00

Avokati i njohur, Arianit Koci bashkë me aktivistët Aheron Bobaj dhe Driton Gusia e ka vizituar këtë qendër ku kanë parë kushtet e vështira për qentë, si dhe tentimin e fshehjes së eshtrave dhe djegies së qenve nga mbikëqyrësit e kësaj strehimoreje.

Aktivistët e bashkuar për kafshët përmes një postimi në Facebook, kanë thënë se “përreth strehimores kan parë qenë të vrarë dhe të djegur.

“Varrin e kanë mbuluar, por kanë harru t’i heqin gjurmët e buldozerit, dhe brenda nuk e kam pa thuajse asnjë qen që ishte aty edhe javën e kaluar”, kanë shkruar ata.

“Edhe pse rreth 40 qen i kemi shpëtuar nga ai ferr dhe disa janë liruar, prapë një numër i madh i tyre që duhet të ishin aty, mungonte dhe ishin zëvendësuar me qen të ri aty dhe që dukeshin të shëndoshë. Mbase janë mundu me i fsheh provat e keqtrajtimit dhe nuk çuditemi nëse i kanë vrarë të gjithë. Kjo kërkon shume organizim të shkathet dhe zotësi për me e mbush vendin me një numri aq të madh të qenve për vetëm një javë. Gjithçka po bëhet gjithnjë e më e dyshimtë!”.

Më tej në postimin e Aktivistëve të bashkuar për kafshët, thuhet se stafi që paguhet për t’u kujdesur për këta qen gjithë kohën kanë gënjyer duke dhënë versione të ndryshme për vrasjen e qenve.

“Derisa mbishkrimi me gabime të shumta gramatikore mbi hyrje, paralajmëron se ndalohen personat e paautorizuar, një person me qen të Sharrit hyn pa e vra mendjen dhe pa u pyet dhe provon të nxit luftëra me qentë aty brenda pa e vra mendjen për praninë tonë, sikur kjo të ishte një gjë e zakonshme dhe normale aty”.

“Në fund e gjetëm edhe një këlysh, i cili ishte fsheh nën një kabinë për ta pritur vdekjen e tij. Kur stafi provoj ta nxjerr, e bëri në mënyrë shumë brutale duke lënduar këlyshin dhe duke na treguar se është tepër, por ai ishte vetëm 3-4 javësh dhe ishte shumë i sëmurë, i dehidruar, plot me morra, i ftohur dhe tepër i plogësht. Në duart e tyre ishte i tmerruar. Një sjellje jo e pritshme nga qentë që ushqehen dhe trajtohen mirë.
Kur veterinari ia jepte injeksionet, ilaçi fillonte t’i rrjedh prej vrimave të që i kishte të shpuara në lëkurë nga abuzimi. Gjendja tij është kritike dhe nuk dihet se a do të mbijetojë. Por, për fat e vërejtëm duke u fshehur dhe nëse mbijeton do të adoptohet në Gjermani”, kanë shkruar në Facebook Aktivistët e bashkuar për kafshët. 

Ndiqeni kronikën në lajmet e RTK nga minuta 28