Përnjëmend: Jemi Një

Nuk ka pasë kurrë mundësi më të mëdha të bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Shqipërisë. Po ndodhë bashkëpunimi, ama në shfaqjen e një veçorie thuaja identike politike në Kosovë dhe në Shqipëri.

Opinion

09/12/2015 15:10

Mos u bëni si ne. Mimi Kodheli, Ministre e Mbrojtjes së Shqipërisë.
Bëhuni si ne. John Kerry, Sekretari amerikan i shtetit.
Javën e kaluar, brenda dy ditësh, me 1 dhe 2 dhjetor, qytetarët e Kosovës, politika e këtij vendi, i morën këto dy porosi thellësisht përjashtuese dhe po aq të sinqerta prej dy mysafirëve të vendit tonë.
Së pari, përfaqësuesja e Qeverisë së Shqipërisë, e pa të udhës që me një formulim fare të shkurtër, t’ua bëjë me dije kosovarëve që skena politike e shqipërisë nuk është farë shembulli i mirë që duhet ndjekur në Kosovë, duke instaluar logjikën e konfliktit të vazhdueshëm politik, kudo dhe kurdo, me të gjitha mjetet në dispozicion, duke nisë prej sharjes, mallkimit dhe britmës, e duke vazhduar me mjetet e tjera.
Së dyti, i tëri fjalimi i përfaqësuesit të Qeverisë Amerikane pas takimit me autoritetet më të larta të Qeverisë së Kosovës, u përqëndrua pikërisht në inkurajimin dhënë politikanëve dhe qytetarëve të Kosovës për tu bërë, si shoqëri, si vend, në jetësimin e oblgimeve ndaj vetes dhe ndaj Botës, si Evropa, si Amerika.
Dialogu midis partive, midis politikanëve, në trajtimin e çështjeve me rëndësi të veçantë për vendi, siç na porositi Sekretari Kerry, është një vlerë që duhet kultivuar në Kosovë.
Një dialog i tillë, siç do të mund të na thoshte Mimi Kodheli, Ministre e Mbrojtjes në Shqipëri, nuk shihet kund në Shqipëri. Dhe në këtë aspekt, s’do mend që edhe ne këndejpari, jemi bërë një me politikën e Shqipërisë, kur dihet që aktualisht, nuk po shihet që mund të ketë bisedime të mirëfillta midis sy palëve në tejkalimin e situatës së rëndë në Kuvendin e Kosovës.
Zatën, skenat e protestës së Partisë Demokratike shesheve të Tiranës, me 8 dhjetor, ishin po ato që janë parë disa herë shesheve të Prishtinës në javët e kaluara. Madje, edhe kërkesat ishin pak a shumë të njejtat, duke u tubuar rreth asaj më kryesores, që shtegdalja nga situata e tanishme, duhet të kërkohet në organizimin e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme parlamentare.
Një tjetër dukuri është po ashtu identike në Kosovë dhe në Shqipëri, në këtë politikën shqiptare që nuk njeh kufi (më).
Ky fenomen ka të bëjë me përpjekjen që dy data shumë të veçanta në historinë e shqiptarëve në përgjithësi, dhe të Shqipërisë në veçanti, të përdoren me qëllim të ri-kontekstualizimit të fushëbetejave politike në Prishtinë dhe në Tiranë.
Këndejpari, 28 nëntori, dita kur ndodhi tubimi apo manifestimi i opozitës së bashkuar, nuk kishte si mos të përdorej për aplikimin e skemave politike të cilat njohin veçimin e kahmotshëm politik që niset dhe soset me meritat për kombin shqiptar, të cilat duhet të shprehen edhe në realitetin e sotëm politik në vend.
Andejpari, 8 dhjetori, dita kur shënohej 25 vjetori i nisjes së rënies së Komunizmit në Shqipëri, u përdor në një tubim të opozitës shqiptare, po ashtu me synimin që ta mëkëmbë atë skemën e vitit 1990-të, kur dihej kush ishte në Qeveri dhe kush ishte në opozitë, dhe kush çka përfaqësonte, për më shumë.
Rrethanat kanë ndryshuar shumë, tepër shumë, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, në këtë dimensionin historik, por ndryshimi i politikës njeh ecjen para dhe prapakthimet e shumta.
Nuk ka pasë kurrë mundësi më të mëdha të bashkëpunimit politik dhe ekonomik në mes Kosovës dhe Shqipërisë. Po ndodhë bashkëpunimi, ama në shfaqjen e një karakteri dhe cilësie thuaja identike politike në Kosovë dhe në Shqipëri.
Një tipar i përbashkët i politikës në Kosovë dhe në Shqipëri, i cili na bëri tok kohëve të mbrama, veçmas gjatë këtij viti, është ai i shndërrimit të politikës së rëndomtë në fushatë permantente parazgjedhore.
Kjo fushatë, që për çdo ditë të lume bëhet këtu dhe atje, mbanë lartë tensionet politike, krijon rrethanat kur është të thuash e pamundur të ketë komunikim normal dhe dialog të njëmendtë midis dy palëve, sepse rivaliteti i natyrshëm politik zëvëndësohet me konfrontim të plotë, shfaqet si gjendje kur objektivisht humbet fokusi prej çështjeve më të rëndësishme politike dhe ekonomike të vendit, kur rrugëdalja nga pengesat e panumërta që ia bëjmë njeri-tjetrit  (gjegjësisht, vetëvetes), kërkohet në kthimin e vendimmarrjes politike tek qytetari i vendit, i cili me votën e tij duhet të kthejë mbarë politikën në shtetin e tij, pasiqë këtë nuk po e bëjnë dot vetë politikanët.
Njëmend jemi bërë Një.  
(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)