Përmendore për Millosheviqin në Serbi?

Luftëra, sanksione, superinflacion: Këto i kujtojnë shumë serbë kur bie fjala për periudhën kur president ishte Sllobodan Millosheviq. E megjithatë merr jetë një iniciativë për të ngritur një përmendore për autokratin.

Lajme

21/03/2018 11:10

„Nën hijen e blirit” prehet ai, ish-presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviq. Në vitin 2006 ai ndërroi jetë në një qeli të Tribunalit të Hagës, ku duhej të përgjigjej për krime të rënda dhe gjenocid në luftërat e Jugosllavisë në vitet 90-të. Varrimi në „shëtitoren e të nderuarve të kombit” në varrezat e Beogradit as nuk shtrohej për diskutim. Kështu arkivoli me kufomën e Millosheviçit u vendos në oborrin e shtëpisë së tij në qytetin e lindjes, Pozharevc, 80 kilometra nga Beogradi. Nën një bli, në një oborr të pasmë. Kritikët e tij thonë, ai nuk ka merituar një varr më të mirë.

Si kreu i Partisë Socialiste të Serbisë, SPS, një parti pasuese e komunistëve, Millosheviqi drejtoi fatin e Jugosllavisë, që në fund përbëhej vetëm nga Serbia dhe Mali i Zi. Deri më sot vitet 90-të në Serbi janë një nocion që përmbledh luftëra, flukse refugjatësh, likuidim të kundërshtarëve politikë e gazetarëve, sanksione, superinflacion dhe varfëri. Ato morën fund në tetor të vitit 2000, kur Millosheviqi u detyrua pas protestave masive të pranonte humbjen në zgjedhje kundër opozitës demokratike. Çfarë duhet të ketë ndodhur pas kësaj në Serbi, që sot vitet 90-të romantizohen dhe ideja për të ngritur në Beograd një përmendore për Millosheviqin si dhe t’i jepet emri i tij një rruge kanë gjetur mjaft përkrahës, madje edhe njerëz të njohur?

“Luftëtar për serbizmin”

“Millosheviq ka qenë hero i kohës së tij, ai e mbrojti vendin, kur ranë bombat e NATO-s”, thotë Jovana Dimitrijeviq duke kujtuar bombardimet e vitit 1999 me qindra viktima në Serbi. E reja drejton shoqatën e qarkut të partisë bashkëqeverisëse, SPS në Pozharevc dhe ka nënshkruar iniciativën për ngritjen e përmendores së Millosheviqit. „Ajo është detyrim moral i qytetarëve kundrejt këtij njeriu të pafajshëm, luftëtarit të serbizmit.”

Kërkesa i është drejtuar bashkisë së Beogradit dhe presidentit Vuçiç që e kontrollon me dorë të fortë Serbinë, mediat dhe drejtësinë, por që jashtë vendit paraqet europianin e bindur. Në vitet 90-të Aleksander Vuçiq ishte një skifter nacionalist, ministër i Informacionit nën Millosheviqin. Partnerët e koalicionit të qeverisë serbe janë socialistët, që angazhohen për një përmendore për Millosheviqin.

„Çdo përmendore është ndërhyrje në hapësirën publike dhe rrëfen se kush qeveris për momentin”, thotë Eric Gordy nga University College në Londër në bisedë me DW. Momenti i zgjedhur tani tregon, se shumë njerëz në Serbi janë të zhgënjyer nga problemet e tranzicionit politik.

Një vend në krizë të vazhdueshme

Arsye për këtë ka. Papunësia në vend arrin rreth 30%. Katër të pestat e të punësuarve fitojnë më pak se 400 euro në muaj. Pas rënies së Millosheviçit pritshmëritë ishin shumë më të larta. „Shoqërinë demokratike, progresin ekonomik, integrimin në BE njerëzit nuk e morën. Prandaj në vitet e fundit po bëhet më e dukshme nostalgjia për Millosheviqin”, shpjegon Gordy.

Në këtë kontekst nuk të habit që pati premierë „Shou i Sllobodanit”, një muzikal me figurën e Millosheviçit si protagonist kryesor. Para tre vitesh gruaja e autokratit, Mirjana Markoviç botoi një libër me titullin „Ka qenë kështu”. Një libër plot me „fakte alternative”, por që në Serbi pati sukses. Në vitin 2003 Markoviq gjeti strehë në Rusi, sepse në Beograd kërcënohej nga procesi gjyqësor nën akuzën e vrasjes së kundërshtarit politik. Ky zhvillim nxitet edhe nga qeveritarët dhe mediat bulevardeske.

Jo përballje e vërtetë me të shkuarën

Bojan Gjuriq, kryeredaktor i portalit liberal, “Novi pogledi” është i bindur, se nuk do të vijë puna deri tek ngritja e një përmendoreje për Millosheviçin. „Për një pjesë të popullsisë dhe elitën politike Millosheviçi është një paralajmërim. Kështu marrin fund ata që nuk dinë se, kur vjen momenti për të ndalur. Politika e tij nuk mund të rehabilitohet, sepse Serbia sot është një tjetër vend, bota është tjetër.”Në Serbi nuk ka pasur ndonjë përballje serioze me krimet dhe traumën e viteve 90-të. Tribunali i Hagës që përfundoi punën në vitin 2017 u pa si një e keqe që duhej pranuar. Ish-të burgosurit e Hagës po ritkthehen në jetën publike.

Lidhur me përmendoren e Millosheviqit mbetet ta thotë fjalën presidenti Vuçiq. Ai nuk është prononcuar deri më tani, por pritet që ai ta lërë të zbehet iniciativa. Në fund të fundit presideti serb tani po përpiqet kaq shumë që të hapë rrugën e Serbisë në BE, përmes normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Por nëse një ditë do ngrihej një përmendore për Millosheviqin, atëherë komuniteti serb i Twitterit ka shumë ide: Mund të jetë një mal me kafka për shembull apo një banknotë 500 miliardë dinarëshe, që kujton superinflacionin. Një person shkruan në Twitter: „Një banjo publike duhet gjithmonë.”/DW