Përmendet nga trafikantët, Tahiri: Të hetohem deri në fund

Ish-ministri i Brendshëm i Shqipërisë ka reaguar pas publikimit të përgjimeve të dosjes “Habilaj” nga Gjykata e Katanias në Itali, ku Habilaj e përmendte Tahirin si kushëririn e tij, e si mbështetës të veprimtarisë në shkëmbim edhe të parave për fushatë.

Lajme

17/10/2017 18:04

“Sot është dita e kundërshtarëve të mi të shfrytëzojnë pallavrat e dy kriminelëve që mburren kush ka mbështetje”, u shpreh Tahiri, teksa thekson se “Sado e madhe qoftë gënjeshtra dhe abuzimi, e vërteta është aty.  Kam mbajtur detyrën e Ministrit të Brendshëm më gjatë se çdo kush, kam luftuar çdo ditë për të bërë detyrën me përgjegjësi”.

Tahiri ka pranuar lidhjen e largët farefisnore me dy trafikantët, por ka vënë në dukje se ka vetëm përgjegjësi morale për makinën që u ka shitur vite më parë, asgjë më tepër. Ai ka kërkuar nga Prokuroria që ta hetojë atë dhe gjithçka rreth tij, shkruan Top Channel.

“Dy kriminelë që janë kushërinjtë e mi në shkallën e 10-të, si çdo kriminel përmendin emra ministrash, unë nuk jam i pari. Kërkoj nga Prokuroria që të hetohet gjithçka. Kam bërë gabimin e vetëm që u kam shitur makinën personale. E për këtë mbaj përgjegjësi personale të plotë. Përtej kësaj nuk mbaj asnjë përgjegjësi. Të dënohet çdo kriminel, qofshin kushërinjtë e mi të shkallës së 10-të”.

Ish-ministri i Brendshëm tha më tej se të vërtetën do ta çojë deri në fund dhe se nuk kërkon mbrojtje nga askush.

“Sot nuk kërkoj nga askush që të më mbrojë dhe besoj, nuk kam ndërmend t’i shtrijë dorën askujt. Unë do të pres deri në fund çdo hetim dhe do të përkushtohem vetë që e vërteta të dalë në dritë. Do të shoh në sy këdo, cilin do që është i bindur, këtë të vërtetë do ta çoj deri në fund. Jo me fjalët e mia, por në çdo hapësirë të drejtësisë”.