Përmbytet Shqipëria, por zbuloni si do jetë moti gjatë javës së ardhshme

Pas shirave të dendur që mbërthyen vendin pasditen e së shtunës, “MeteoAlb” ka një lajm të mirë mbi situatën e motit për javën në vazhdim.

Lajme

04/02/2018 17:51

“Presim që pjesa e dytë e së dielës, por edhe e hëna dhe e marta të jenë me vranësira dhe pa reshje. Në mesjavë fillojnë sërish reshjet deri të premten, por jo sasi të mëdha siç këto që pamë gjatë së shtunës.

Është ndierë dobësimi i ndjeshëm i shpejtësisë së erës, rrjedhimisht edhe të hënën e të martën dallgëzimi nuk do të jetë problematik, do të ulet 2 apo 3 ballë”, tha Tanja Porja, meteorologe.

Por, a rrezikohemi nga përmbytjet deri në përfundim të muajit shkurt?

“Për të gjithë muajin shkurt nuk mund të sigurohemi që nuk do të ketë përmbytje, sepse 15 ditët e para reshjet janë të pranishme herë pas here, e të paktën deri në datë 10, reshjet që presim të bien nuk do të jenë në sasi të mëdha. Ndërkohë që pas datës 10 nuk jemi të sigurtë për sasitë e reshjeve”, deklaroi më tej Tanja Porja për “t.ch”.

Sipas parashikimit të “MeteoAlb”, në tërësi muaji shkurt do të shoqërohet me temperatura më të larta, sesa ato tipike të shkurtit.