Përmbushjen e kushteve për heqjen e vizave, së shpejti e verifikon një mision i KE-së

Komisioni Evropian së shpejti do të dërgojë në Prishtinë një ekip të ekspertëve nga shërbimi i vet dhe shteteve anëtare të saj, lidhur me procesin e liberalizimit të vizave.

Lajme

27/02/2016 17:56

Kështu deklaruan për lajmi.net, zyrtarë të Komisionit Evropian në Bruksel, në përgjigje me shkrim, duke konfirmuar edhe kontaktet e vazhdueshme që kanë me autoritetet kosovare në lidhje me këtë çështje.

Tove Ernst nga Komisioni Evropian, deklaron për lajmi.net se misioni i tyre në Kosovë do ketë për qëllim, verifikimin e  progresit të bërë nga autoritetet kosovare  në përmbushjen e kushteve të mbetura që kanë të bëjnë me  liberalizimin e vizave.

Tove Ernst

Tove Ernst, zëdhënëse e Komisionit Evropian për Migrimin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësisë.  “Komisioni është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet në Prishtinë”.

Ata më pas do të  japin udhëzime për hapat e mbetur, duke përfshirë edhe mundësinë që nëse është e nevojshme të ketë edhe një vizite për çështjet teknike”, thotë Tove Ernst, zëdhënëse e Komisionit Evropian për Migrimin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësisë.

Ajo nuk jep ndonjë datë se kur ky mision verifikues mund të vijë në Prishtinë, por megjithatë sqaron se Komisioni Evropian është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet në Prishtinë.

“Komisioni është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet në Prishtinë, për shqyrtimin e progresit të Kosovës në përmbushjen e standardeve të mbetura dhe duke diskutuar hapat e ardhshëm të mundshëm”, thotë Ernst për lajmi.net.

E pyetur nga lajmi.net sa i përket paralajmërimit të komisionarit Dimitris Avramopulos, i cili në dhjetor të vitit të kaluar pati thënë se në janar të këtij viti do të vizitojë Prishtinën për të parë nga afër procesin e përmbushjes së kritereve për liberalizim të vizave, Ernst, zëdhënësja nga Komisioni Evropian, rikonfirmon gatishmërinë e tij për të ardhur në Kosovë.

Dimitris Avramopoulos

Dimítris Avramópoulos

“Komisioneri Avramopulos mbetet i gatshëm të vizitojë Kosovën për të vlerësuar progresin e autoriteteve në përmbushjen e kërkesave të mbetura dhe pret për të punuar me Kosovën në këtë fazë të fundit të dialogut për liberalizimin e vizave”, thotë Ernst për lajmi.net.

“Megjithatë, ne nuk mund të konfirmojmë  ndonjë datë për vizitë të tij në këtë fazë”.

Sidoqoftë, zyrtarja nga Brukseli rikujton deklaratën e thënë në dhjetor të vitit të kaluar nga ana e  komisionarit Dimitris Avramopulos, gjatë hartimit final të raportit mbi progresin në  Kosovë, për  përmbushjen e kërkesave të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.

“Në momentin kur të gjitha kushtet do të përmbushën, atëherë Komisioni Evropian do të propozojë heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës”, tha Tove Ernst, zëdhënëse e Komisionit Evropian për Migrimin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësisë.

Pasaporta e Kosovës

Pasaporta e Republikës së Kosovës

Bazuar në raportin e fundit të Komisionit Evropian, i publikuar në dhjetor të vitit të kaluar, Kosova ka vetëm edhe tetë kushte për të plotësuar, në mënyrë që të marr liberalizimin e vizave.

Por sipas zyrtarëve në Prishtinë, si ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, vendi tashmë ka përmbushur thuajse të gjitha ato, një prej të cilave ishte edhe gjetja e një vendi të përshtatshëm për zyrën e Avokatit të Popullit. /lajmi.net