Përmbushet kërkesa e parë e veteranëve, tani duan kërkimfaljen

OVL UÇK Dukagjin, së bashku me të gjithë luftëtarët që përkrahën protestën e 26 shtatorit në Pallatin e Drejtësisë, kanë përshëndetur nismën e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksndër Lumezi për fillimin e hetimeve për zbulimin se kush publikoi ilegalisht të dhënat personale të veteranëve.

Lajme

29/09/2018 11:37

Kështu thuhet në njoftimin për media nga OVL UÇK-së për rajonin e Dukagjinit.

Sipas njoftimit, kjo ishte edhe kërkesa e pare e protestës së mbajtur para Pallatit të Drejtësisë.

“FALEMINDERIT KOSOVË”, shprehen ata.

“Ne inkurajojmë Prokurorinë, që të bëj edhe hapin e dytë, duke kërkuar falje ndaj të gjithë Luftëtarëve të cilët u ofenduan publikisht nga ky lëshim i papërgjegjshëm dhe e gjetën veten padrejtësisht në “listat e mashtruesve”. Gjithashtu, ne edhe njëherë shprehim vullnetin tonë që të kontribuojmë në përmirësimin e gabimeve të mundshme në procesin e verifikimit të veteranëve”, thuhet në njoftimin e OVL-UÇK-së Dukagjin.

Në fund, ata theksojnë se do të bëhet edhe lirimi i bashkëluftëtarit të tyre Shkumbin Demaliaj që do ishte në dobi të këtij procesi.

Dje gjatë ditë, Kryeprokuroria e Kosovës ka bërë me dije se Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar hetime ndaj zyrtarëve të drejtësisë apo personave të tjerë për shkak të publikimit të listave të veteranëve.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njofton opinionin se ka kërkuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë që të fillohen hetimet paraprake për të verifikuar çdo veprim të personave zyrtarë në sistemin prokurorial dhe gjyqësor, si dhe, të zyrtarëve apo personave të tjerë jashtë këtyre sistemeve, nëse të njëjtit kanë kryer vepër penale me rastin e publikimit të emrave të personave të përfshirë në listat e veteranëve apo pjesëtarëve luftëtarë të UÇK-së”, thuhet në komunikatë. /Lajmi.net/