Përkushtim për riorganizimin e Dhomës së Posaçme të Supremes

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në një takim kryetarin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, kryetarin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, Sahit Sylejmani, si dhe kryetarin e Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Petrit Gashi, ka diskutuar për koordinimin e veprimeve të përbashkëta në lidhje me sigurimin e funksionimit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme me rastin e përfundimit të mandatit të EULEX-it dhe përshpejtimin e punës së kësaj gjykate.

Lajme

24/03/2018 15:06

Ministri Tahiri potencoi se puna e kësaj gjykate ndikon drejtpërdrejt në dinamikën e procesit të privatizimit e sidomos tek shpërdarja e fondeve në mirëbesim tek punëtorët dhe kreditorët e ndërmarrjeve shoqërore si dhe bartja e mjeteve të mbetura tek buxheti i Republikës së Kosovës.

Sipas ministrit Tahiri, misioni i EULEX-it ka arritur objektivat e veta dhe se kontributi i tij sidomos në këtë gjykatë ka qenë i pazëvendësueshëm.

Tahiri siguroi të pranishmit se Ministria e Drejtësisë i ka dhënë prioritet procedurave për ndryshimin e ligjit, në mënyrë që të mundësohet baza ligjore për zëvendësimin e gjyqtarëve ndërkombëtarë me ata vendorë dhe se ky procesi po ec me hapin e duhur.

Ai theksoi nevojën e përshpejtimit të punës së kësaj gjykate për të mundësuar shpërndarjen e shpejtë të mjeteve në mirëbesim si e drejtë themelore për punëtorët dhe kreditorët.

“Është e papranueshme që për shkak të resurseve të pakta dhe dinamikës së ulët të punës së kësaj gjykate, punëtorët dhe kreditorët të presin me vite të tëra për të marrë hisen e tyre të ligjshme nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore. Ministria e Drejtësisë është  e vendosur të ndërmarr të gjitha veprimet brenda mandatit të saj që të sigurohemi se po zbatohen parimet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për një gjykim brenda një intervali të arsyeshëm kohor” theksoi ministri Tahiri.

Në takim është theksuar përkushtimi i përbashkët për të punuar në sigurimin e vazhdimësisë së punës së rregullt në gjykatë, sidomos pas përfundimit të mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë. /Telegrafi/