Përkundër Spanjës, Vuçiq për “interesa të Serbisë” merr pjesë në Samitin e Sofjes

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq do të marrë pjesë në Samitin për Ballkanin Perëndimor që do të mbahet këtë të enjte në Bullgari.

Lajme

15/05/2018 14:13

Vuçiq sot e ka konfirmuar se nesër do të udhëtojë për në Sofje.

Deri pak ditë më parë për shkak të pranisë së Kosovës në këtë Samit nuk ishte e qartë nëse Serbia do të merrte pjesë, përcjell lajmi.net.

Vuçiq kishte deklaruar se do të ishte prezent nëse gjithçka shkon mirë duke pas parasysh se ‘çdo ditë vjen një deklaratë e re’.

Pas një bisede telefonike me kryeministrin bullgar, Bojko Borisov, presidenti serb konfirmoi pjesëmarrjen dhe shtoi se do të kontribuojë në stabilizimin e situatës në Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, nuk do të ishte mirë që vendi i tij të mos jetë i pranishëm në tubimin e udhëheqësit më të fuqishëm evropian.

(Mos)Pjesëmarrja e Spanjës

Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy deklaroi dje se nuk do të marrë pjesë në Samit vetëm se do të qëndrojë në Sofje më 16 maj.

Ai do të jetë prezent në një takim joformal të Këshillit Evropian por jo në takimin qendror.

Rajoy ka refuzuar të ulet në të njëjtën tryezë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi apo ndonjë përfaqësues të shtetit të Kosovës për t’u fotografuar apo biseduar me ta.

Sipas gazetës më të madhe spanjolle ‘El Pais’ u raportua se Rajoy ka frikë se një fotografi e mundshme me Thaçin do të përdoret nga liderët e Katalonisë për kauzën e tyre për pavarësi.

Ndërkohë, zëdhënësja e presidencës bullgare në BE, Genoveva Chervenakova ka thënë se kryeministri spanjoll do të mbërrijë nesër në Bullgari pa e bërë të qartë nëse do të jetë pjesë e Samitit.

Spanja është në mesin e pesë vendeve të Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur shtetin e Kosovës./Lajmi.net/