Përkujtohet Sali Çekaj, heroi i thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar

Si një luftëtar që shquhej për burrëri e atdhedashuri, u përkujtua sot, në 16 vjetorin e rënies së tij, komandant Sali Çekaj.

Lajme

19/04/2015 16:16

I vrarë ditën e 19 prillit në Betejën e Koshares, kur u thye kufiri shqiptaro-shqiptarë, komandant Çekaj po mbahet mend si një ndër figurat që vunë gurëthemelin e shtetit të Kosovës.

Sot, në një akademi përkujtimore, familjarë të komandantit Çekaj kërkuan nga institucionet e vendit që të mos ndajnë veteranët dhe dëshmorët sipas kritereve. Gjithashtu, në këtë akademi, bashkëluftëtarë të komandantit Sali Çekaj, kërkuan nga udhëheqësit e shtetit, që sa më parë të formohet Ushtria e Kosovës.

Për të nderuar figurën e komandantit Çekaj, kjo akademi përkujtimore u organizuar nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.

Përfaqësues të institucioneve, ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkëveprimtarë të komandantit e familjarë të tij, përkujtuan sot Sali Çekaj-n, si një luftëtarë, vepra e të cilit nuk do të vdesë asnjëherë.

Djali i komandantit Sali Çekaj, Hisen Çekaj gjatë fjalimit, shprehu keqardhjen e tij që këto përkujtime tradicionale po mbahen në rrethana të tilla, që ai i quajti të hidhura dhe po e zbehin veprën e dëshmorëve.

“Sivjet, edhe sikur vitet e tjera, më vjen keq që përkujtimet, tashmë tradicionale kushtuar thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar, po mbahen në rrethana tejet të hidhura dhe kontroverse, të cilat fatkeqësisht jo vetëm pak po kontribuojnë në zbehjen e veprës së dëshmorëve tonë. Personalisht kam qenë dhe jam i mendimit që neve, si familje të dëshmorëve nuk na takon të përzihemi në çështje, sidomos politike, për të cilat bashkëkombësit tonë, kanë zgjedhur personat përgjegjës. Mirëpo, iu kisha lutë institucioneve të shtetit tonë të dashur, që mundësisht të iu shmangemi polemikave të cilat dërgojnë drejtë ndarjes së dëshmorëve dhe veteranëve, sipas kritere, që atyre gjatë luftës aspak nuk iu kishin interesuar. Ata, si patriotë të vërtetë, kishin vetëm një kriter, një parim, një qëllim, mbrojtjen e popullit tonë dhe pavarësinë e Kosovës. Asgjë tjetër”, tha ai.

Sipas tij, asokohe luftëtarët nuk kishin kohë për të bërë dallime politike.

Megjithatë, ai nuk la pa shprehur mirënjohjen e familjeve të dëshmorëve karshi institucioneve të vendit, që siç tha ai, po ndajnë kohën dhe mjetet për të shënuar manifestime të tilla.

Për jetën dhe veprën e komandat Sali Çekaj, foli edhe Bajram Zeqiri nga brigada 138.

Ai përkujtoi se Sali Çekaj dhe Rrustem Broqi, zyrtarisht implementonin nenet e kushtetutës së Kaçanikut, mbi themelet e saj, të drejtën juridike për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, me mision mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës.

“Sot në datën e 19 prillit, zëri i veteranit, na flet nga pavdekësia duke na thënë se: ‘Veteranë ë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë të gjithë ata trima që nën Flamurin Kombëtar, emblemën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës dhe erën e barotit derdhur mbi trupat tanë, e dhanë betimin solemn…se me gjakun tonë ta mbrojmë sovranitetin dhe popullin e Kosovës. Zëri i heroit të Kosovës, Sali Çekaj, në unison me zërin e të gjithë veteranëve të luftës së Koshares, kërkon nga politika aktuale në Kosovë, që tani, menjëherë të formojë Ushtrinë e Kosovës, bazuar në traditën tonë dhe standardet e kohës, e sa më parë këtë ushtri ta rreshtojë me dinjitet përkrahë ushtrive në NATO si aleat i përjetshëm”, tha ai.

sali cekaj

Si një hero legjendar e një trim që shquhej për burrëri e atdhedashuri, për Sali Çekaj, foli Haki Demolli, ministër i Ministrisë së Forcave dhe Sigurisë së Kosovës.

Ai përkujtoi se Sali Çekaj besonte se me betejën e Koshares do t’i vihej fundit kufirit artificial Kosovë-Shqipëri.

“Do t’i gëzohej humbjeve të mëdha të forcave ushtarake dhe paramilitare serbe. Të shihte fillimin e humbjes përfundimtare të ushtrisë së Serbisë, si dhe të shihte fillimin e çlirimit definitiv të Kosovës. Por, komandant Çekaj nuk e përjetoj çlirimin përfundimtar të Kosovës, sepse pikërisht me 19 prill të vitit 1999 ai bjen heroikisht në Betejën e Koshares. Trimi i pa epur Sali Çekaj bjen në fushën e betejës për të mos vdekur kurr, sepse derdhi gjakun e tij për lirinë e popullit dhe vendit tonë, duke vendosur kështu gurëthemelin e shtetit tonë”, tha ai.

Demolli tha më tutje se Sali Çekaj do të mbetet përjetësisht në mendjen e popullit të Kosovës.

I pranishëm në këtë akademi ishte edhe ish-komandanti i Zonës së Dukagjinit, tash kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Betejën e Koshares, ai cilësoi si kulm të shtëpisë apo pavarësisë së shtetit të Kosovës.

“Beteja e Koshares, Epopeja e koshares, është kulmi i shtëpisë sonë, i pavarësisë sonë si shtet. Pa këtë betejë, jo për me thanë që lufta jonë për liri ishte e mangët, por ndoshta shtëpia jonë mund të ishte ndryshe. Për këtë, edhe unë edhe të gjithë ne e kemi për nderë të lartësojmë veprën e Sali Çekajt, me lartësua veprën e atyre që përmes brigadës 138 e vendosën fundin e luftës, e veçanërisht atyre që janë flijuar”, tha ai.

Kjo akademi shënoi edhe 16 vjetorin e rënies së heroit të Kosovës, Sali Çekaj. Ai ra dëshmor në betejën e Koshares. Ishte kryengritës në rezistencën politike, u bë luftëtar në rezistencën e armatosur, mbaroi si dëshmor në luftën çlirimtare të Kosovës dhe u bë hero i Kosovës si sublimim i dhuntive të njeriut të madh që jep jetën për atdhe.

Komandanti Sali Çekaj pati fatin të vepronte në Brigadën 138, që shquhej jo vetëm për numrin e madh të luftëtarëve, por edhe për pjesët e atdheut që ata kishin sjellë në këtë Brigadë, raporton KosovaPress.