Përkujtim muzikor për Lou Reed

Albumet e Lou Reed gjatë javës së kaluar kanë pasur rritje impozante te shitjes, 607 për qind. Në kujtim të tij, këngët ia kanë kënduar Neil Young, Pearl Jam, Arcade Fire, Arctic Monkeys.

ShowBiz

02/11/2013 21:00

Sipas revistës Billboard, shitja e albumeve të Lou Reed gjatë javës së kaluar ka pasur ngritje impozante prej 607 për qind, kurse albumet e grupit të tij, The Velvet Underground, janë shitur 236 për qind më shumë.

Javën e kaluar janë shitur 3000 albume të tij, kurse dy javë më parë kjo shifër ishte më pak se 1000. Edhe albumet e The Velvet Underground janë shitur në 3000 ekzemplarë.

Albumi më i shitur ishte Transformer, i cili u shit në 1000 ekzemplarë (rritje prej 527 për qind), kurse The Velvet Underground & Nico, albumi debutues i bendit të tij, u shit po ashtu në 1000 ekzemplarë (rritje prej 146 për qind).

Në botën digjitale, Lou Reed ka pasur 17.000 shkarkime, derisa një javë më herët kishte 2000 sosh (rritje prej 590 për qind). Rritja e The Velvet Underground në këtë aspekt është 410 për qind, prej 1000 shkarkimeve në 5000.

Kënga më e shkarkuar është Walk On the Wild Side (6000 shkarkime, rritje prej 729 për qind), kurse nga The Velvet Underground Sweet Jane (1000 shkarkime, 521 për qind rritje).

Walk On the Wild Side pati rritje prej 3.000 për qind në shërbimin muzikor Spotify.

Lou Reed vdiq më 27 tetor, nga komplikimet pas transplantimit të mëlçisë.

Neil Young, Elvis Costello, Pearl Jam, Arcade Fire dhe Arctic Monkeys e kanë përkujtuar Lou Reed duke i kënduar këngët e tij më të njohura në koncertet e mbajtura disa ditë pas vdekjes.

Young, Costello dhe Jenny Lewis e kanë kënduar Oh! Sweet Nuthin’, Pearl Jam Waiting for the Man, kurse Arctic Monkeys Walk on the Wild Side.

Arcade Fire, në performimin e mbajtur më 28 tetor në Capitol Studios, Los Angeles, të transmetuar në radiostacionin publik amerikan, NPR, në mesin e këngëve nga albumi i ri Reflektor kanë kënduar edhe Perfect Day dhe Satellite Of Love.

Këtu mund ta dëgjoni koncertin e plotë, kurse këngët dy këngët e Lou Reed fillojnë në 17:10.

http://www.npr.org/event/music/239134780/arcade-fire-live-in-concert

A.M.