Përkrah vizionin e Adrianës dhe Miloshit

Presidentja Jahjaga deklaroi në Mitrovicë se Kosova nuk të lejojë që interesat e ngushta të grupeve kriminele të mbajnë peng dhe të diktojnë të ardhmen e qytetarëve dhe stabilitetin e vendit.

Lajme

23/09/2013 11:14

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nga qyteti i Mitrovicës, u ka bërë thirrje të gjithë të rinjve që vijnë nga qytete e vende të ndryshme, por që kanë probleme të tilla si Mitrovica, që të punojnë për një të ardhmen të përbashkët.

Në ‘Konferencën Inauguruese të të rinjve të Forumit për Qytetet në Tranzicion’, që po mbahet në Mitrovicë, Jahjaga uka uruar mirëseardhje të rinjve nga Belfasti, Derry, Tripoli, Kirkuku, Kaduna, Nikosia/Lefkosha, Jerusalemi, Mostari, të mbartin mbi supe brenga të ngjashme me ato të rinisë së Mitrovicës.

“Ju përgëzoj të gjithë ju që keni mbështetur dhe keni bërë të mundur që forumi i qyteteve në tranzicion të ketë edhe dimensionin e të rinjve dhe që vizioni i Adrianës dhe Miloshit ka gjetur përkrahjen tuaj. Vizion i cili pa dyshim reflekton shpirtin e të riut largpamës dhe ambicioz, që nuk njeh kufij dhe shpreson përtej çfarëdo barriere”.

“Qytetet e ndara janë përkujtues të një të kaluare të hidhur, me pasoja shumë të rënda, pasoja që në shumë raste janë akoma prezente. Por, janë dhe përkujtues të rrezikut që vjen nga përjashtimi, nga refuzimi për të pranuar e respektuar të tjerët, për të pranuar e respektuar të ndryshmen”.

“Ne jemi të përkushtuar të shohim drejtë së ardhmes, duke marrë mësime nga e kaluar dhe duke mos lejuar që ajo të përsëritet më”.

“Ne mbetemi të përkushtuar të bëjmë Kosovën vend të qytetarëve të saj pa dallim. Ta vlerësojnë multietnicitetin dhe multikulturalizmin tonë si vlera të shoqërisë, të shtetit tonë që me krenari i ndajmë me të tjerët”.

Nga qyteti i Mitrovica  Presidentja Jahjaga ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe serbët e veriut, që të bëhen pjesë e procesit zgjedhor.

“Kemi përpara një proces zgjedhor, i cili përveç testit të demokracisë së mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe demokratike, pret të kalojë dhe testin e gjithëpërfshirjes dhe pjesëmarrjes masive të qytetarëve të të gjitha komuniteteve, në ushtrimin e të drejtës së tyre për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre legal dhe legjitim”.

“E ndërsa raste të sulmit si ai i të enjtes së kaluar, ku një përfaqësues i EULEX-it mbeti i vrarë, duan të ndjellin ndjenjën e frikës dhe të pasigurisë, nuk do të lejojmë që interesa të ngushta të grupeve kriminele të mbajnë peng dhe të diktojnë të ardhmen e qytetarëve tanë dhe stabilitetin e vendin tonë.”