Përhershëm e Përkohshme

Shoqëria mbahet dhe përparon me një katalog vlerash të cilat nuk kontestohen dot prej një qeverie te tjetra, prej një palë zgjedhjeve të të tjerat, prej rrjedhës së rëndomtë politike.

Opinion

30/07/2015 09:55

A ka happy end këtu? A ka fare ‘regjisor’ i cili e ka të qartë se si do të përfundojë e tëra? Apo, në këtë politikën dhe shoqërinë kosovare do vazhdojë të jetë në fuqi gjendja e cila paradoksalisht klasifikohet si përhershëm e përkohshme, apo si tranzicion që ka nisë në vitin 1999, e që nuk dihet kur dhe si do të përfundojë.

E dini sa lehtë është të gjindet dalja nga një labirinth, kur ai shikohet nga lartë. Për pak minuta, secili prej nesh me një laps shënon kah duhet të ecën një i ngujuar imagjinar në labirinth, për të shpëtuar.

Ama ne të gjithë jemi brenda tij, jetojmë në një labirinth, dhe shpresat tona, si shoqëri dhe si vend, të gjithat, thuaja, varen nga përshtypja jonë që ‘dikush atje lartë’ (në radhë të parë SHBA-ja, pastaj, edhe Evropa e cila ‘ende nuk na i ka larë të gjitha borxhet që na i ka pasë nga e kaluara’), është regjisor i fatit tonë, që ai do të na tregojë rrugën kah duhet me ecë. Ndërsa bërja e shtetit, synim ky i përmbushur në vitin 2008, ka pasë pikërisht domethënien që tash e tutje, ne vetë duhet t’i gjejmë udhët tona në përmbushje të zyrtarizimit ndërkombëtarë të shtetit të Kosovës, duke u bërë një herë anëtar i OKB-së, e më pas, duke hyrë në Paktin NATO dhe në BE.

Dalja nga labirinthi a kobi kombëtar i shqiptarëve të Kosovës në Shekullin XX, ka pikërisht këtë domethënie. Apo jo.

Por në rrethanat të cilat janë fare të njohura për të gjithë ne, duket që ne përballemi, gjithnjë e më shumë, me deficitin a mungesën e tipareve të cilat na duhen tash, më shumë se kurrë. Ndërsa të gjitha ato tipare, ishin në fuqi ndër ne, në vitet e nëntëdhjeta të okupimit të rëndë, atëherë kur në shikim të parë dukej që ne jemi populli më i pafuqishëm në Evropë.

Kishim atëherë, në ato vite pra, Projektin e bërjes së shtetit, duke u çliruar nga Serbia. Kishim një organizim që e quanim një shtet paralel. Kishim durimin politik, respektin për njeri-tjetrin, kishim një vullnet të jashtëzakonshëm, një bindje që jemi në rrugën e drejtë, një besim që herët a vonë, do ta bëjmë atë që për ne ishte e drejtë, e vërtetë, e ndershme.

Kishim respektin fillimisht, të SHBA-së dhe shumë shteteve perëndimore, për politikën dhe qytetarinë tonë, për atë demokraci dhe organizim nën kushtet e okupimit brutal të Serbis. Më pas, morëm edhe përkrahjen a mbështetjen e plotë prej SHBA-së dhe Perëndimit, që mori trajtën e paparë deri atëherë (dhe më pas, siç dihet), të intervenimit ushtarak të Paktit NATO. Për një muaj pas përfundimit të luftës, në Kosovë u kthyen thuaja të gjithë ata që u dëbuan me dhunë në pranverën e vitit 1999. Ishte diçka e paparë në historinë e re të Ballkanit. Për një vit, u zhdukën të gjitha pasojat shkatërrimtare të kësaj lufte, duke u rindërtuar dhe riparuar thuaja të gjitha 120 mijë objektet e banimit që u goditën nga forcat serbe. Diçka e tillë ishte tej mase befasuese për diplomatët perëndimorë. Shumë prej tyre ishin të sigurtë që Kosova, brenda një periudhe jo më gjatë se dhjetë vjet pas luftës, do të bëhet shteti më stabil dhe më i qëndrueshëm në këto anë të Ballkanit.

Ku u humb filli i kësaj rrjedhe të parashikuar prej vetë Perëndimit, mbase, e tëra mund të përshkruhet me pak fjali, apo edhe me një bibliotekë të tërë botimesh. Varet prej qasjes që mund ta kemi.

Sot kemi shtet, por nuk e kemi pothuaj asnjërin prej atyre tipareve dhe vlerave që i kishim si kolektivitet në vitet e nëntëdhjeta. Durim më nuk kemi fare. Besimi që jemi në udhë të drejtë, është në rënie të vazhdueshme. Një respekt dhe tolerancë politike, dhe jo vetëm politike, tash është zëvëndësuar nga një mosdurim i gjithëllojshëm, që jorrallë kalon në urrejtjen si veçori mbizotëruese në politikë.

Shoqëria mbahet dhe përparon me një katalog vlerash të cilat nuk kontestohen dot prej një qeverie te tjetra, prej një palë zgjedhjeve të të tjerat, prej rrjedhës së rëndomtë politike. Stabiliteti i një shoqërie, varet shumë prej respektimin dhe fuqizimit të këtyre vlerave.

Ne kemi arritë që t’i vëmë në dyshim gati të gjitha këto vlera.

Dhe këtë po e bëjmë, të gjithë së bashku.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)