Përgjithësimet me sllogane

Përvec betejave politike, në fushatat zgjedhore shfaqen edhe betejat kreative - slloganet. Për sociologun Ibrahim Berisha, problemi me slloganet e fushatës së zgjedhjeve lokale të 3 Nëntorit është në porositë e përgjithësuara të cilat i transmetojnë ato.

Lajme

01/10/2013 06:10

Fushatat zgjedhore konsiderohen edhe si arenë e betejave kreative.

Përveç aspektit politik, partitë synojnë të shfaqen më të avancuara edhe në mënyrën e prezantimit të ideve, planeve dhe strategjive të tyre.

Mirëpo, në Kosovë është vështirë që me anë të slloganeve të bëhet dallimi në mes zgjedhjeve qendrore dhe atyre lokale.

Ibrahim Berisha, profesor i sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, tha për lajmi.net se problemi me slloganet për fushatën e zgjedhjeve lokale të 3 Nëntorit është në porositë e përgjithësuara të cilat i transmetojnë ato.

“Nëse e shohim gjendjen që e kemi në Kosovë, praktikisht asnjëri prej këtyre slloganeve nuk përkon me proceset e vështira që po kalon Kosova, veçmas në aspektin e varfërisë, efektivitetit të pushtetit lokal, qendror, etj.”.

“Kemi sllogane të përgjithësuara – universale, siç janë: ‘… për Europën’, ‘… për marrjen e pushtetit qendror pas atij lokal’, etj. Pra, në fokus të tyre nuk janë interesi dhe kërkesat e qytetarit. Duhet të ketë sllogane të lokalizuara, sepse ato i dedikohen zgjedhjeve lokale”.

“Pra, përmendja e koncepteve ‘Europë’ dhe “Qeverisje”, përdorimi i fjalëve tjera të mëdha, i shmang drastikisht partitë dhe vetë kandidatët nga synimi i nivelit lokal. Rrjedhimisht, slloganet i bën të paefektshme”.

Berisha është skeptik për efektshmërinë e sloganeve në elektorat, pasi ato nuk përkojnë me interesat e jetës së përditshme të qytetarëve.

“Pjesa dërrmuese e anëtarësisë as që e di se cilat sllogane janë të partive të tyre”.

“Kur slloganet janë të përgjithësuara, në bazë të hulumtimeve empirike, efekti i tyre është shumë i vogël, sepse nuk e prekin interesin konkret të qytetarëve”.

“Ta zëmë, prishtinasit kanë kërkesa tjera dhe qëllime tjera nga qytetarët e Mitrovicës, pavarësisht se ata mund ta përkrahin të njëjtën parti”.

“Prandaj, është vështirë në këto rrethana që me sllogane të përgjithësuara, të pasintetizuara dhe jokonkrete, të nxitet dikush që të dalë të votojë, apo ta ndërrojë qëndrimin politik, bazuar në sllogane”.

 

Slloganet për zgjedhjet e 3 Nëntorit

PDK – “Për Kosovën Evropiane”

LDK- “Sot Komuna, nesër Kosova”

Lëvizja Vetëvendosje – “Ta ndryshojmë së bashku”

AAK- “Aleanca për Kosovën”

AKR- “Ndershëm, me punë”