Përfundon certifikimi

KQZ ka bërë të ditur se 7 mijë e 932 kandidatë janë certifikuar për zgjedhjet që do të mbahen më 3 nëntor në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Lajme

17/09/2013 19:34

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar certifikimin e subjekteve politike.

Në mbledhjen e sotme, KQZ ka bërë të ditur se 7 mijë e 932 kandidatë janë certifikuar për zgjedhjet që do të mbahen më 3 nëntor në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka,  e vlerësoi pozitivisht procesin e certifikimit të subjekteve politike. Ajo tha se zgjedhjet do të mbahen sipas ligjeve dhe rregullave të KQZ’së.

“Konsideroj se është bërë mirë, pasi është përmbyll një proces shumë  i rëndësishëm, një proces i certifikimit të të gjitha subjekteve. Pra,  të gjithë ata që kanë aplikuar edhe janë certifikuar natyrisht duke vepruar sipas vërejtjeve dhe rekomandimeve të KQZ’së”.

“Kjo edhe njëherë dëshmon se  zgjedhjet do të mbahen sipas rregullave dhe ligjeve të  KQZ’së”.

Betim Gjoshi, Anëtar i Komisionit nga PDK, pohoi se KQZ ka qenë unike që nga fillimi i procesit të certifikimit pasi ka respektuar rregullat dhe Ligjet e Kosovës.

Ndërsa përfaqësuesi i LDK’së në KQZ, Florian Dushi, tha se emrat e ndryshuar tani janë plotësisht në përputhje Ligjet e Kosovës

Lista e sponsorizuar nga Beogradi që në fillim mbante emërtimin “Srbija” tash do të njihet me emërtimin “Iniciativa Qytetare Serbe”, ndërkaq lista e Oliver Ivanoviqit e cila quhet “Srbija, Demokracia”, tash do të quhet “Iniciativa Qytetare-PSD-Oliver Ivanoviq”.

(Kosovapress, lajmi.net)