Përfundon ‘autostrada’ energjetike Kosovë-Shqipëri

Ka përfunduar ndërtimi i linjës së interkonjeksionit 400 kV midis Shqipërisë dhe Kosovës, inaugurimi i së cilës bëhet sot.

Lajme

28/06/2016 12:39

Linja quhet ndryshe edhe ‘autostrada’ që lidh dy shtetet. Projekti i hartuar vite më parë, tashmë ka përfunduar, për ndërtimin e së cilës u deshën 29 milionë euro për pjesën e Shqipërisë.

Financimi është bërë nga banka gjermane KfW. Për pjesën e Shqipërisë punimet për ndërtimin e linjës në terren kanë nisur në prill 2014 dhe përfunduan në qershor 2016. Linja e interkonjeksionit 400 kV Shqipëri – Kosovë ka një gjatësi totale 241.1 km, nga të cilat 151.1 km shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 km shtrihen në territorin e Kosovës.

Segmenti i parë i linjës nga Tirana në Vaun e Dejës me gjatësi 80 km përfshin shtrirjen e qarkut të dytë në linjën ekzistuese Tiranë-Podgoricë dhe Segmenti i dytë i linjës konsiston në ndërtimin e një linje të re me një qark Vau i Dejës-Morinë me gjatësi 71 km.

Linja e Interkonjeksionit 400 kV Shqipëri-Kosovë ka dy përcjellës për fazë të tipit ACSR 490/65 mm 2. Përcjellësi i mbrojtjes nga goditjet atmosferike do të jetë i pajisur në brendësi me fibra optike, për qëllime të telekomunikacionit dhe shkëmbimit të të dhënave.