PËRFUNDIMISHT: Në Vetëvendosje ka BABË, s’ka IDE!

Sot ka qenë dita e fundit kur Albin Kurti do ta mësonte emrin e kundërkandidatit për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje, ose do të tërhiqej edhe vet. Nuk ndodhi as e para dhe as e dyta. Albin Kurti mbetet kandidati i vetëm për kryetar të partisë, meqë deri në mesnatë skadon afatin për aplikime të të tjerëve.

Lajme

10/01/2018 19:50

Kjo pozitë e cila është aktualisht Vetëvendosje i shkon për shtati vetëm kundërshtarëve të saj, pasi që koha e kompromisit ndërmjet dy grupeve duket se po kalon më shpejt seç është menduar.

Duke marrë parasysh kushtëzimin e grupit ‘rebel’ të udhëhequr nga Dardan Molliqa, Visar Ymeri, Aida Dërguti, etj., se tërheqja e Kurtit nga kandidimi mund të sjellë paqe, atëherë vijmë në përfundim se paqja në këtë parti tashmë është veçse iluzion.

Nisur nga të gjitha këto premisa, Kurti do të rikthehet në fronin e Vetëvendosjes, kurse grupi i pakënaqur do të shkëputet e zyrtarisht për të formuar një formacion të ri politik, shkruan lajmi.net.

Slogani që mbushi sheshet e Prishtinës dhe selinë e VV-së “S’ka babë, ka ide”, e që i atribuohej Albin Kurtit si “baba” i partisë dhe që ishte kundër tij, po del të jetë ndryshe: Në Vetëvendosje ka BABË, s’ka IDE. Baba është Albin Kurti, ideja po ashtu është Albin Kurti.

S’kanë të ndalur dorëheqjet

Sot i fundit, por duket se jo i fundit në përgjithësi, nga strukturat drejtuese të VV-së u larguar deputeti Driton Çaushi, ish kandidat për kryetar të Gjakovës.

Megjithatë po del se fare i pari që e nisi të gjithë këtë çarje në Lëvizjen Vetëvendosje ishte Dardan Molliqaj i cili në një far forme ishte detyruar të dorëhiqet nga pozita e sekretarit organizativ, shkruan lajmi.net.

Dalja në publik e të ashtuquajturit “SMS-i M” i Aida Dërgutit i nxori në pah dallimet e mëdha brenda subjektit që ka më së shumti deputet në Kuvendin e Kosovës. Ky sms, tashmë i famshëm, prodhoi pasoja zinxhirore, duke vargisur dorëheqjet një pas një.

Nga grupi i ashtuquajtur anti-Albin Kurti dorëheqje deri më tash kanë dhënë Aida Dërguti, Dardan Molliqaj, Visar Ymeri, Dardan Sejdiu, Driton Çaushi, Shqipe Pantina, Faton Topalli dhe Qëndron Kastrati. Ky i fundit është kryetar i Kamenicës dhe ish deputet.

I dorëhequr nga strukturat e partisë mund të merret edhe deputeti Fisnik Ismaili, i cili ditë më parë përmes një letre ndër tjerash tha “… veç po pritoj më dhënë dorëheqje”.

Në kuadër të grupit të ndarë thuhet se bën pjesë edhe Dukagjin Gorani, deputet, mirëpo ai nuk ka ndonjë funksion në parti, prandaj s’ka as si të jap dorëheqje.

I vetmi që ka mbetur gati i papozicionuar publikisht është kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ai vazhdon të “ruhet” nga deklaratat publike që domosdo do të ishin pozicionim, duke tentuar të jetë një lloj “xhokeri” se nga cili do ti bie më mirë. /Lajmi.net/