Përfshirje më e madhe e meshkujve sesa e femrave në arsimin kosovar

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar shifrat e rezultateve të regjistrimit të populsisë nga viti 2011 që kanë të bëjnë me arsimin e të gjitha niveleve në vend. 

Lajme

29/12/2014 17:29

Sipas rezultateve të regjistrimit të fundit, numri i përgjithshëm i fëmijëve në çerdhe dhe në arsimin parashkollor ishte 26,678, kurse nga ky numër 48.3% ishin femra, ndërsa 51.7% meshkuj.

Numri i nxënësve në arsimin fillor ishte 145,783, prej tyre 70,504 ose 48.4% ishin femra, ndërsa 75,279 ose 51.6% ishin meshkuj. Numri i mësimdhënësve ishte 7,870, prej tyre 4,681 (59.4%) ishin femra, ndërsa 3,189 (40.6%) meshkuj.

Numri i nxënësve në arsimin e mesëm të ulët ishte 135,040. Nga ky numër 65,158 (48.3%) ishin femra, ndërsa 69,882 (51.7%) meshkuj. Numri i mësimdhënësve ishte 9,981, prej tyre 4,217 femra dhe 5,764 meshkuj. Numri i nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët privat ishte 2,095, prej tyre 964 nxënës ishin në arsimin fillor, ndërsa 1,131 në arsimin e mesëm të ulët. Numri i mësimdhënësve në këto institucione ishte 344.

Numri i nxënësve në arsimin e mesëm të lartë publik në vitin shkollor ishte 100,437, prej tyre 46,796 (46.6%) ishin femra, kurse 53,641 (53.4%) meshkuj. Numri i përgjithshëm i mësimdhënësve në arsimin e mesëm të lartë publik ishte 6,023, prej tyre 2,330 femra dhe 3,693 meshkuj. Numri i nxënësve në arsimin e mesëm të lartë privat ishte 2,601, (41.1% femra dhe 58.9% meshkuj). Numri i mësimdhënësve ishte 351.

Numri i nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët special ishte 635, pre tyre 40.8% ishin femra, ndërsa 59.2% meshkuj. Numri i mësimdhënësve ishte 131.

Numri i nxënësve në arsimin e mesëm të lartë special ishte 147, prej tyre 40.1% ishin femra, ndërsa 59.1% meshkuj. Numri i mësimdhënësve ishte 40.

Numri i studentëve në arsimin universitar ishte 52,159, prej tyre 27,939 ose 53.6% ishin femra, ndërsa 24,220 ose 46.4% meshkuj. Numri i mësimdhënësve në arsimin universitar ishte 1,314, prej tyre 431 ose 32.8% femra, ndërsa 883 ose 67.2% meshkuj. (Kosovapress)