Përfshirja e grave në biznes i jep impuls pozitiv zhvillimit ekonomik të vendit

Përfshirja më e madhe e gruas në biznes dhe roli udhëheqës i saj ka rezultuar me ndryshime pozitive në zhvillimin ekonomik, kanë vlerësuar panelistët në Konferencën  “Roli i Grave në Zhvillimin Ekonomik të Kosovës: Tejkalimi i Barrierave”, që u mbajt sot në Prishtinë nën organizimin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Lajme

26/04/2017 15:13

Konferenca njëditore mblodhi gratë të suksesshme sipërmarrëse dhe të sektorëve tjerë me qëllim të diskutimit të barrierave ligjore në realizimin e potencialit të grave në procesin e zhvillimit ekonomik, rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre në projektet e zhvillimit ekonomik të vendit, me ç’rast morën mbështetjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Ministrit Blerand Stavileci.

Në hapje të kësaj konference, Ministri Blerand Stavileci tha se kjo konferencë do të  mundësojë përfshirjen e ideve që  kanë gratë në politikat e institucionale dhe të ndryshohet qasjen në dobitë të fuqizimit të gruas.

“Jo vetëm tek ne por edhe në botë, aty ku është pjesëmarrja e grave dhe dhënia e një roli udhëheqës i ka bërë ndryshimet. Ndryshime në qeverisje në nivelin qendror, nivelin lokal edhe në reformimin e politikave e reformimin e sektorëve”, tha Stavileci, duke përmendur si shembull suksesi projektin WOW- Gratë në Punë Online, ku përfshirja e grave në këtë sektor ka dhënë rezultate pozitive.

Gjithashtu, Stavileci nënvizoi suksesin në sektorin e bujqësisë ku me përfshirjen e kapitalit njerëzor të grave ka rritur produktivitetin për 20%, duke shtuar se një përfshirje e tillë do të ndikonte edhe në sektorët tjerë.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se gjithëpërfshirja e grave në shoqëri dhe institucione është kusht i domosdoshëm që të mund të kemi një shtet funksional demokratik, ekonomi të zhvilluar dhe mirëqenie sociale për qytetarët tanë.

“Ne duhet t’i përkrahim gratë kosovare, me subvencionim të projekteve të tyre, në prodhim dhe industrinë e shërbimeve, si dhe me kredi investive, duhet t’i mbështesim gratë me edukim, shkencë, shëndetësi, që të bëhen menaxhere të suksesshme të burimeve njerëzore, mjeke të barabarta me koleget e tyre evropiane, profesoresha që transmetojnë imazh pozitiv për vendin me prezantimet e tyre në tryezat shkencore ndërkombëtare, sipërmarrëse të suksesshme në sektorin privat”, theksoi kreu i Kuvendit.

Ai tha se transformimi ekonomik i vendit nuk mund të arrihet asnjëherë pa rolin aktiv të grave në të gjitha fushat e jetës, ngase suksesi i grave në shoqëri është garancia më e mirë se shoqëria dhe shteti janë duke ecur në drejtimin e duhur.

Arbene Shehu, Kryetare e  Odës së Noterëve të Kosovës, vlerësoi se përkundër faktit se vendi ka një legjislacion të mirë sa i përket trajtimit të barabartë të dy gjinive, në aspektin e trashëgimisë ende duhet të punohet në  vetëdijesimin e  qytetarëve për të drejtën e gruas në pronë. Ajo shtoi se duhet të ndërrohet qasja dhe të fuqizohet edhe më tej gruaja në shoqëri, përfshirë ekonominë e saj.

Ndërsa, Roberta Bajrami përfaqësuese e Kompanisë On Touch, ka shpalosur përvojën e saj, vështirësitë deri te finalizimi i hapjes së kompanisë, ndërsa ka inkurajuar të rejat që idetë që kanë t’i realizojnë dhe në këtë formë të arrihet fuqizimi ekonomik i të rinjve dhe të rejave.

Blerta Thaçi përfaqësuese e Gilrs Coding Kosova tha se tashmë janë thyer barrierat e të menduarit se fusha e teknologjisë së informacionit i takon vetëm gjinisë mashkullore, duke shtuar se vajzat sot janë bërë kreatore të shumë ideve të reja në këtë fushë, me çka është ndërruar mentaliteti dhe është dëshmuar se gruaja mund të jetë pjesë e secilit proces, e në veçanti fushës të teknologjisë së Informacionit.

Ndryshe, “Roli i Grave në Zhvillimin Ekonomik të Kosovës: Tejkalimi i Barrierave” është zhvilluar në katër panele të ndara ku janë trajtuar tematika mbi mundësitë e fuqizimit të grave në biznes dhe roli i tyre në zhvillimin ekonomik.