Përfshirja e femrave kosovare në politikë

Kur përjashtojmë 50 përqindëshin e njerëzve nga vendimmarrja, ne njëkohësisht i përjashtojmë ata edhe nga pjesëmarrja në shoqëri. Prandaj roli i gruas duhet ridefinuar: ne nuk jemi më vetëm vajzat, nënat apo motrat e dikujt. Ne jemi dikush më tepër.

Opinion

17/01/2014 10:08

Pas takimit të krerëve kryesorë politikë të Kosovës dhe Shqipërisë në Prizren, një fotografi e realizuar më bëri të mendoj mbi përfaqësimin e grave në politikën kosovare.

Ku janë gratë?

Përveç faktit se ky takim ishte kryesisht karakter simbolik dhe ku u diskutua mbi progresin në rajon dhe punën e përbashkët të të dy qeverive, pyeta veten se çfarë roli kanë gratë në këtë lidhje ndërshtetërore?

Duke pasur parasysh që ne kemi një numër të vogël të lidereve të suksesshme politike, si Vlora Çitaku, Ministre e Integrimeve Evropiane apo Mimoza Kusari-Lila, Kryetarja e parë femër e zgjedhur për të drejtuar Gjakovën, ka edhe shumë femra të tjera aktiviste në sfera të ndryshme politike por që fare pak kanë kapur nivelet më të larta të udhëheqjes shtetërore.

Kur flitet për kuotën e femrave, dëgjojmë shumë zëra kritikë (kryesisht nga meshkujt) se kjo përbën rrezik për demokracinë. Por, në anën tjetër, a nuk është më e rrezikshme kur vendos vetëm njëra gjini? Pastaj, edhe disa meshkuj vendimmarrës, që nuk janë në dijeni mbi tematika të caktuara, si psh. të drejtat e grave, përfaqësojnë një elitë udhëheqëse, sërish: A s’është kjo edhe më e rrezikshme për demokracinë?

Kur flasim për kuotën e femrave, unë nuk mendoj në atë mënyrë që të dalim jashtë dhe të zgjedhim 20 gratë që kalojnë para nesh dhe t’u japim pozita të rëndësishme politike.

Realisht mendoj se në shoqërinë tonë (si në përgjithësi, ashtu edhe në atë shqiptare në veçanti), ne duhet të mbajmë përgjegjësi për zgjedhjen e grave kur kanë kualifikimin e njejtë me burrat garues për një pozitë të ofruar pune.

Për shembull, po ta shohim nga afër faqen elektronike të Ministrisë së Punëve të Jashtme, shohim se pozitat që mbajnë gratë janë kryesisht ato të ‘sekretares’ dhe ‘asistentes’  – dhe kjo, i dashur lexues, është një rikrijim tjetër i roleve gjinore në shoqërinë tonë.

Kur  përjashtojmë 50 përqindëshin e njerëzve nga vendimmarrja, ne njëkohësisht i përjashtojmë ata edhe nga pjesëmarrja në shoqëri. Prandaj, roli i gruas duhet ridefinuar: ne nuk jemi më vetëm vajzat, nënat apo motrat e dikujt. Ne jemi dikush më tepër. Prandaj, është e rëndësishmë të fillojmë nga përfshirja e gjysmës tjetër në politikë dhe t’u ofrojmë pozita më të rëndësishme në sferat kryesore politike.

Çdo qasje tjetër çon në planifikimin jo të shëndoshë të konstruktit social, duke i parë gratë si të rëndësishme vetëm në punët e shtëpisë dhe familje, ndërsa meshkujt duke mbetur vendimmarrësit dhe mbajtësit kryesorë të familjes dhe të vendit.

Ne jemi dikush. Na bëni të dukshme. Ndihmoje perfshirjen e femrave kosovare në politikë.