Përfitonin pasuri të madhe, gruaja me të dashurin “hoqën” qafe bashkëshortin

Prokuroria e Tiranës, zbardh pas 2 vitesh vrasjen e Agron Dervishit, e ndodhur në fshatin Mazrek të komunës Kashar më 1 janar të 2013-ës.

Lajme

13/12/2014 18:19

Kjo vrasje, sipas prokurorisë, është kryer nga dy vëllezërit të shpallur në kërkim ndërkombëtar Abdyl alias Antonio Lala dhe Mirjan alias Aleks Totraku.

Policia nuk arriti te identifikonte asnjë person si autor te ngjarjes, por viktimës i

mungonin portofoli dhe një zinxhir floriri që mbante në qafë.

Këto fakte i bene hetuesit të mendonin në atë kohë se krimi kishte ndodhur pas një grabitjeje të çastit. Pranë trupit të viktimës u gjeten vetëm 3 gëzhoja.

Pak metra me tej, oficerët e policisë gjyqësore gjetën pistoletën e tipit “Zastava”, me të cilën ishte vrarë Dervishi.

1 vit pas ngjarjes, një person u arrestua nga policia sepse qëlloi në ajër me pistoletë. Në shtepinë e tij, policia gjeti mes të tjerave edhe gëzhojën e një plumbi.

Pas ekzaminimeve policia arriti në përfudnimin se kjo gëzhojë ishte e njëjtë me ato që u gjetën pranë trupit të pajetë të Agron Dervishit, i vrarë në fshatin Mazrek të komunës Kashar.

Prokuroria ka marrë në pyetje bashkëshortën e viktimës, e cila tregon se kishte pas një lidhje dashurie me autorin e vrasjes së burrit të saj, Abdyl Lalën.

Gjatë hetimeve, prokurorët thanë, se është provuar se autorët e vrasjes së Agron Dervishit nëpërmjet bashkëshortes së viktimës do të përfitonin pasuri të patundshme që bashkëshortja do të trashëgonte nga vdekja e burrit të saj.

Për këtë shkak, dyshohet se ka ndodhur edhe vrasja për të cilën autorët kanë ardhur nga Zvicra për ta kryer, pasi kishin mësuar nga bashkëshortja e viktimës se ata ndodheshin në Shqipëri.

Dosja penale ndaj dy vëllezërve Lala, tashmë ka përfunduar në gjykatën e Tiranës, ku të pandehurit do të përgjigjen për akuzën e “vrasjes me paramendim” në bashkëpunim, duke rrezikuar kështu burgimin e përjetshëm, shkruajnë mediat në Shqipëri.