Përfaqësuesja U-17 filloi grumbullimin katërditor në Durrës

Përfaqësuesja e Kosovës U-17 e ka filluar sot grumbullimin e radhës katër ditor në Durrës.

Sport

02/01/2017 23:32

Ekspedita prej 24 futbollistëve e udhëhequr nga përzgjedhësi, Besnik Kollari është akomoduar në mesditë në hotel. Gjatë pasditës fillimisht përzgjedhësi Kollari ka mbajtur një takim me futbollistët, të cilëve u ka folur për rëndësinë që ka ky grumbullim për përfaqësuesen e kësaj grupmoshe.

“Ky kamp katër ditor është shumë i rëndësishëm për sfidat që na presin në të ardhmen, prandaj dua që të jeni të përkushtuar maksimalisht dhe të jepni më të mirën nga vetja. Nga ju pres harmoni dhe të punoni për njëri-tjetrin, sepse vetëm të bashkuar mund t’i arrijmë qëllimet. Duhet të ndjeheni krenarë që po u jepet mundësia për ta veshur fanellën e Përfaqësueses, prandaj ta duam me zemër Përfaqësuesen dhe ta japim maksimumin, pasi shumë gjenerata kanë sakrifikuar për të ardhur kjo ditë”, ka theksuar Kollari ndër të tjera ë fjalimin para lojtarëve.

Ndërkohë, në orët e pasdites Përfaqësuesja ka mbajtur seancën e parë stërvitore, në kompleksin sportiv Peza, ku është punuar në test të shpejtësisë dhe në lojë taktike. Përzgjedhësit Besnik Kollari në këtë grumbullim po i ndihmojnë edhe trajnerët Fadil Berisha dhe Bahri Berisha, si dhe përzgjedhësi i U-15, Gazmend Haliti.

Deklaruan pas stërvitjes

Besnik Kollari: Këta janë futbollistët të lindur në vitin 2001, me të cilët do të marrim pjesë në kualifikime. Kemi filluar me seleksionimin e futbollistëve qysh herët nga regjionet, ku përgjegjës kanë qenë trajnerët e regjioneve dhe më pas unë së bashku me trajnerët Fadil Berisha, Gazmend Haliti, Isa Sadriu, Bahri Berisha dhe Ahmet Beselica kemi bërë seleksionimin, ku janë testuar 75 futbollistë nga ligat e Kosovës dhe ndërkohë kemi pasur edhe kontakte të vazhdueshme me lojtarët që luajnë jashtë. Ka qenë një proces goxha i vështirë. Gjithsesi, ende jemi në proces të testimeve, ngase ka edhe shumë futbollistë që janë në pritje për t’u na bashkuar, pastaj ka futbollistë që janë ende duke u hamendur dhe të tillë që nuk kanë mundur të marrin nga leje nga klubet e tyre. Sidoqoftë, çdo grumbullim dhe çdo ndeshje do të jetë seleksionim për ta, pasi kjo grupmoshë është në zhvillim e sipër dhe ka rënie-ngritjet. Tash e kemi edhe turneun ndërkombëtar në Turqi, prej 15 deri më 22 janar ku do të shohim realisht se ku jemi dhe sa kemi arritur të punojmë. Por, klubet duhet të mendojnë që t’u krijojnë kushtet e duhura për punë këtyre djelmoshave, sepse përndryshe do të jetë i vështirë zhvillimi i tyre.

Besnik Koci: Dëshira ime e madhe ka qenë që të luaj për Kosovën dhe jam i privilegjum që jam pjesë e Përfaqësueses. Para disa kohe më kontaktuar trajneri Besnik Kollari dhe e kam pranuar menjëherë dhe me kënaqësi ftesën e tij. Kam qenë edhe në një grumbullim që është mbajtur në Prishtinë, por këtu fusha është shumë më e mirë dhe ajri është më i nxehtë. Po vijmë duke u gërshtetuar çdo herë më mirë me njëri-tjetrin.

Gent Musa: Ky është grumbullimi im i parë për mua në Përfaqësuesen U-17. Shpresoj se do të jetë i suksesshëm si për mua, ashtu edhe për të gjithë lojtarët e tjerë dhe ta kalojmë pa lëndime. Qysh në stërvitjen e parë kemi punuar mjaft mirë dhe kemi treguar kompaktësi. Në këtë grumbullim ka edhe shumë futbollistë që luajnë jashtë, por jemi kombinuar shumë mirë.

Shaban Kuçuku: Kjo është hera ime e parë që jam pjesë e Përfaqësueses U-17. Po më pëlqen shumë atmosfera që mbretëron në skuadër. Të gjithë më kanë pritur mirë dhe po shihet që kemi një harmoni. Dëshira ime është që të fitoj besimin e trajnerëve për të mbrojtur portën e kësaj Përfaqësueseje.

Blend Morina: Është një ndjenjë shumë e mirë për të qenë pjesë e këtij grumbullimi. Shpresoj që në të ardhmen të ketë mundësi edhe më të mëdha për të pasur rastin për të dhënë maksimumin, për shkak se Përfaqësuesja është edhe një mundësi e mirë për t’u treguar edhe në klubet e huaja.

Lista e futbollistëve

Shaban Kuçuku (Sion)

Auron Loxha (Trepça’89)

Adni Zeqiri (Milano Kumanovë)

Gent Olluri (2 Korriku)

Dorian Osmanallaj (Sturm Grac)

Endrit Demolli (Flamurtari)

Leard Sadriu (Ferizaj)

Altin Lutolli (Heidenheim 1846)

Besnik Koci (Stuttgard)

Edonis Vuçitërna (Linz)

Adonis Sopa (Besëlidhja)

Deniz Sadiku (Trepça’89)

Albin Mehmeti (Besëlidhja)

Gent Musa (SHF Kurda)

Valon Zumberi (Hamburg)

Blend Morina  (SHF Stars)

Florian Hysenaj (Valud Loussane)

Dardan Shabanhaxhaj (Sturm Grac)

Adonis Aliu (2 Korriku)

Edin Huseini (Munchen 1860)

Armend Gashi (Prishtina)

Qëndrim Zyba (Ballkani)

Bajrush Osmani (Bochum)

Albin Prapashtica (2 Korriku)

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 7 dhe Samsung Galaxy S6.