Përfaqësuesja e Kosovës në listën e zezë të Zvicrës

Federata e Futbollit të Zvicrës ka marrë vendim që mos t’i lejojë Përfaqësueses së Kosovës, dhe disa skuadrave tjera, të zhvillojnë ndeshje miqësore në territorin e saj.

Sport

19/03/2015 09:18

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) nuk do të mund të organizojë më ndeshje në territorin e Zvicrës.

Kjo, pasi Federata e Zvicrës ka marrë vendim që mos t’ua lejojë Kosovës dhe disa përfaqësueseve të tjera të zhvillojnë ndeshje ndërkombëtare në territorin e saj, shkruan “Koha Ditore”.

Vendimin e marrë, Federata zvicerane e vlerëson të zakonshëm, por kështu nuk shihet edhe nga Federata e Kosovës, që zyrtarisht shprehet e panjoftuar për këtë.

Shefi i Departamentit për media i Federatës së Futbollit të Zvicrës, Marco von Ah, i ka thënë gazetës se Zvicra nuk është e përgatitur të marrë gjoba nga FIFA në rast se ndërmjet dy përfaqësueseve jozvicerane shkaktohen incidente.

Sipas tij, Zvicra nuk dëshiron ta prishë imazhin me përfaqësuese, që pas vetes mund të sjellin edhe telashe. E, Kosova është vlerësuar si një prej këtyre përfaqësueseve.