Përfaqësuesja e Kosovës ka një ide fantastike për t’i ndihmuar skamnorët

Përpos FFK-së, edhe institucionet tjera shtetërore apo bizneset private në një të ardhme të afër pritet t’i hapin kuletat për t’i stimuluar me premi reprezentuesit kosovarë në eliminatoret e Botërorit.

Sport

14/09/2016 13:48

Përfaqësuesja e Kosovës e nxori një barazim shumë të rëndësishëm si mysafire e Finlandës, në ndeshjen e parë eliminatore të Kampionatit Botëror “Rusia 2018”.

Mirëpo, deri më tani reprezentuesit kosovarë që luajtën me zemër në Turku të Finlandës ende nuk janë shpërblyer me ndonjë premi, ndonëse e kënaqën me lojë dhe me rezultat shtetin e tyre.

Mirëpo, kjo nuk do të thotë se shpërblimet për ta do të mungojnë në vazhdim të eliminatoreve.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) i ka thënë “Zërit” se Komiteti Ekzekutiv i saj shumë shpejt do të gjejë forma të dhënies së premive për rezultatet pozitive që do t’i arrijnë reprezentuesit tanë.

“Sigurisht se Komiteti Ekzekutiv i FFK-së do të gjejë forma për dhënie të premive, varësisht nga mundësitë buxhetore të FFK-së, rëndësisë së ndeshjeve dhe pikëve etj. Por, kjo do të rregullohet në mënyrën më të mirë që është e mundshme në kushtet dhe kapacitetet tona si federatë”, thotë FFK-ja për “Zërin”.

Përpos FFK-së, edhe institucionet tjera shtetërore apo bizneset private në një të ardhme të afër pritet t’i hapin kuletat për t’i stimuluar me premi reprezentuesit kosovarë në eliminatoret e Botërorit.

Madje, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka dalë me premtim premish për reprezentuesit kosovarë para Qeverisë së Kosovës.

Veseli ka thënë se secili reprezentues i Kosovës do të shpërblehet me nga 100 mijë euro, në rast se kalojnë grupin dhe e kualifikojnë Kosovën në Botëror.

Ndërkohë, Kosova e ka edhe një rregullore që parasheh shpërblime për arritjet sportive, shkruan Zëri.

Sidoqoftë, deri më tani futbollistët nuk janë vërejtur duke menduar kah përfitimet individuale, por janë treguar shumë të përkushtuar në mbrojtjen e ngjyrave të Kosovës dhe në përfaqësim sa më të dinjitetshëm të vendit të tyre.

Madje, ata qysh moti kishin vendosur bashkërisht se kur të marrin premi, atëherë secili nga ta të ndajë një pjesë të parave për t’i ndihmuar familjet në nevojë, e që të tilla ka shumë në Kosovë.

“Sa u përket premive, unë e di se qysh në vitin 2014 lojtarët kanë vendosur që prej çdo tubimi, me nga një pjesë të premive të ndihmojnë, si donacion, që të ndërtohen shtëpitë e atyre që kanë nevojë”, ka deklaruar për “Zërin” përzgjedhësi kosovar, Albert Bunjaki.

Ai theksoi se në këtë kohë skuadra e tij ka nevojë më të madhe për kushte më të mira pune, sidomos për një stadium, ku do të mundë t’i zhvillonte ndeshjet.

“Nuk po kthehemi se çka është deshur të bëhet, sepse sigurisht se në këto 17 vjet në Kosovë ka pasur prioritete më të mëdha. Por, është e dhimbshme që tani loja kundër Kroacisë të mos luhet në Kosovë. Në aspektin sportiv është një minus i madh që pesë ndeshje t’i luajmë jashtë. Por, besoj se do të ndërtohet shumë shpejt”, tha seleksionuesi kosovar.

Parashikoni ndeshjet e EURO 2016 dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 6S dhe Samsung Galaxy Note 4