Përfaqësuesja e Kosovës ka arritur në Lituani pa Berishën, Lis Shoshi mbetet në dyshim

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll të shtunën është zhvendosur nga Polonia në Lituani, më saktësisht në qytetin Klaipeda, ku më 26 shkurt do të përballet me lituanët në kuadër të Dritares së Dytë të kualifikimeve evropiane për Kampionatin Botëror ‘Kina 2019’.

Sport

25/02/2018 22:15

Të dielën në mëngjes, Përfaqësuesja jonë e ka zhvilluar stërvitjen e parë në Klaipeda dhe në mungesë të kapitenit Dardan Berisha, i cili për shkak të lëndimit të muskulit të prapmë të këmbës është dashur të largohet nga kampi i Përfaqësueses për t’u kthyer në Çeki, ku edhe do të vazhdojë rehabilitimin tek ekipi i tij, Basketball Nymburk, thuhet në njoftimin e FBK-së.

Berisha është lënduar në duelin ndaj Polonisë, të premten në Wloclawek, ku Kosova ka pësuar humbje me rezultat 90-62. Në këtë ndeshje është lënduar edhe alo-qendra Lis Shoshi, i cili e ka lënduar hundën. Për Shoshin ende nuk dihet nëse do të mund të paraqitet apo jo në përballje ndaj Lituanisë.

Basketbollistët tanë të dielën do ta zhvillojnë edhe stërvitjen e pasdites, derisa të hënën në mëngjes e kanë në program edhe një stërvitje, para se në mbrëmje me fillim nga ora 18:30 të ballafaqohen me Lituaninë.

Në duelin e parë të luajtur në Prishtinë ndërmjet Kosovës dhe Lituaninë, fitore bindëse ka regjistruar kjo e fundit me shifrat 99:61. Po ashtu në kuadër të Dritares së Parë, basketbollistët tanë janë mundur nga Hungaria në Debrecen me rezultat 84:76.

Kosova është pjesë e Grupit C të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019” së bashku me Hungarinë, Lituaninë dhe Poloninë.

Dritarja e Tretë e kualifikimeve evropiane do të zhvillohet në fund të qershorit dhe në fillim të korrikut, ndërsa Kosova i pret në Prishtinë, së pari Hungarinë dhe më pas Poloninë.