Perëndimi në rrezik, ‘meshkujt nuk janë meshkuj’

Rezultatet e një studimi kanë konfirmuar se gjatë dekadave të fundit, cilësia e spermës, nuk ka reshtur së rëni tek meshkujt perëndimorë.

Lifestyle

10/08/2017 22:27

Sipas këtij studimi, bëhet me dije se përqëndrimi i spermatozoideve në spermë ka rënë në 52.4% nga 1973 deri në 2011 tek meshkujt perëndimorë, ndërsa cilësia e përgjithshme e spermës ka rënë në 59.3%, referuar një sondazhi të gjerë që përfshin 50 vende.

Faktet

Në periudhën nga 1973 deri 2011, cilësia e spermës në vendet perëndimore nuk ka reshtur së rëni. Në thuajse 40 vjet, ajo ka rënë në 52,4 %. Edhe sasia e spermës ka rënë: -59,3 %.

Për autorët e këtyre kërkimeve studimore, produktet kimike janë përgjegjësit kryesor të kësaj rënieje në vendet perëndimore.

Një studim i vitit 2012 mbi meshkujt francezë tregonte se përqendrimi i spermatozoideve të spermës kish rënë në 32,2 % nga 1989 deri në 2005.

Rënia e spermës dhe e cilësisë së saj në botë nuk është gjë e re por ajo që i alarmon autorët e këtyre studimeve të reja, të botuara në “Human reproduction”, është se kjo prirje po vazhdon të theksohet, kryesisht në Shtetet e Bashkuara, Australi, Zelandën e Re dhe në Evropë.

Për të arritur në këtë konkluzion, ekipe kërkuesish shkencorë ndërkombëtarë (izraelitë, amerikanë, brazilianë, danezë dhe spanjollë) janë bazuar në 7.518 studime, nga të cilat kanë nxjerrë 185 punime që kanë marrë në analizë 42.935 burra — të cilëve u është analizuar sperma nga 1973 deri 2011 — të seleksionuar sipas moshës, periudhës së abstinencës seksuale, vendit të origjinës, pavarësisht nga fertiliteti i tyre.

Sipas rezultateve, përqendrimi i spermatozoideve të spermës ka rënë në 52,4 % nga 1973 deri 2011 tek meshkujt perëndimorë ndërsa sasia totale e spermës ka rënë në 59,3 %. Numri mesatar i spermatozoideve të vëzhguara është prej 81 milion/ml, thuajse në të gjitha vendet. Kjo shifër mbetet megjithatë në normën e fertilitetit të Organizatës Botërore të Shëndetit që vlerëson se mjafton një përqindje e lartë deri në 15 milion/ml për të ngjizur një fëmijë.

Cilat janë shkaqet e rënies së cilësisë së spermës?

Sipas specialistëve, fenomeni mund të jetë i lidhur me turbulluesit e endokrinave, me substancat kimike si pesticidet, që çrregullojnë sistemin hormonal. Hipoteza të tjera, janë produktet e ambalazhuara në plastikë dhe produktet kozmetike apo edhe obeziteti, jeta sedentare, stresi, duhanpirja që mund të kenë gjithashtu një efekt vdekjeprurës për fertilitetin.

Për autorët e studimit, është imperative tashmë ekzaminimi i shkaqeve të kësaj rënieje për të parandaluar infertilitetin mashkullor dhe për më tepër për të mbrojtur shëndetin e popullsisë në vende të ndryshme, duke patur parasysh që rënia e përqendrimit të spermatozoideve lidhet me rritjen e shkallës së sëmundshmërisë dhe të vdekshmërisë.

Fakti që kjo rënie vërehet në vendet perëndimore, ndryshe nga Azia, Afrika apo vendet e Amerikës së jugut, sugjeron bindshëm se produktet kimike luajnë një rol shkak-pasojë, nënvizojnë autorët e studimit.

Një sondazh, i publikuar në 2012, në “Human reproduction”, me kampionë meshkuj francezë (26.606 pjesëmarrës të moshës 35 vjeç) tregonte se përqendrimi i spermatozoideve të spermës kishte rënë në një të tretën nga 1989 deri 2005. Një ulje e vazhdueshme, në raportin prej 1,9 % për vit, që përfundonte me një reduktim total prej 32,2 % në fund të 17 viteve në vazhdim. Gjithnjë sipas këtij sondazhi, tek një mashkull 35 vjeç, numri i spermatozoideve ka kaluar nga 73,6 milion/ml në 49,9 milion/ml mesatarisht për 17 vjet.