Perëndimi kundërshton ashpër ndërhyrjen e Rusisë në Ukrainë

Zyrtarë të lartë perëndimor i bëjnë thirrje Rusisë që të mos e shkelë sovranitetin e Ukrainës. William Hague, kërkon zgjidhje sa më të shpejtë të krizës nga palët, ndërsa, Andres Fog Rasmusen i bën thirrje Rusisë, për siç tha ai, de-eskalim të tensionit.

Bota

02/03/2014 18:02

Kanë nisur reagimet e para të faktorit ndërkombëtar ndaj ndërhyrjes së trupave ruse në disa pjesë të territorit të Ukrainës.

Ndër të parët ishte Sekretari i Jashtëm i Britanisë, William Hague, i cili ka thënë se cenimi i sovranitetit të Ukrainës nga radhët e ushtrisë ruse, ndikon në destabilitetin e Europës.

Ai gjatë vizitës që i bëri sot Kievit, tha se sovraniteti dhe integriteti territorial i Ukrainës është shkelur nga Rusia.

Hague do të qëndrojë sot në Ukrainë, ku pritet të takohet me zyrtar të këtij shteti.

Ai u ka bërë thirrje të dy palëve në krizën e Ukrainës që ta shmangin konfliktin.

 

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO’së, Andres Fog Rasmusen ka thënë se ukrainasit janë popull sovran dhe se ajo që po bënë Rusia në Ukrainë, kërcënon paqen dhe sigurinë në Evropë dhe se Rusia, sipas tij, duhet të ndalojë aktivitetet ushtarake dhe kërcënimet e saj.

Në një fjalim të shpejtë në konferencën para mbledhjes së Këshillit Atlantik Verior, Rasmusen i bëri thirrje Rusisë, për siç tha ai, de-eskalim të tensionit.