Përçarje mes koalicionit? Flet Pal Lekaj

Gjykata Speciale i erdhi surprizë koalicionit i cili ishte koncentruar të zgjidhte çështjen e demarkacionit.

Lajme

10/01/2018 12:14

Deklaratat e ndryshme jo vetëm për demarkacionin, por edhe tani për Gjykatën Speciale që po qarkullojnë nga liderët e partive që kanë marrëveshje për bashkëqeverisje, kanë vë në dyshim stabilitetin e koalicionit.

Dje, kryetari i PDK-së, njëherit edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se Gjykata Speciale nuk do të zhbëhet, duke lënë të kuptojmë se nisma e iniciuar nga partia e tij mund të mos kthehet më në Kuvend. Ndërsa, kryetari i AAK-së, i cili është edhe kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj thotë se Gjykata Speciale është një e keqe për Kosovën dhe qëndrimet e kësaj partie janë të njëjta, nuk e kanë përkrahur dhe nuk do e përkrahin asnjëherë këtë gjykatë. E Nisma për Kosovës thotë se Gjykata është gjë e imponuar dhe se edhe kjo parti i ka qëndrimin e ngjashëm me AAK-në.

Mirëpo, a po e krijon Gjykata Speciale përçaje mes koalicionit, ministri i Infrastrukturës nga radhët e AAK-së, por edhe nënkryetari i kësaj partie, Pal Lekaj, thotë se koalicioni po merret me procese që e forcojnë vendin dhe se nuk ka përçarje në këtë aspekt.

“Ne në partneritet me PDK, Nisma dhe AKR jemi që të shtyjmë përpara proceset që forcojnë Republikën e Kosovës si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm”, ka thënë ai.

Sipas Lekajt, këto procese vetëm e forcojnë unitetin brenda koalicionit, andaj ai shuan zërat se koalicioni rrezikon të prishet si pasojë e Speciales.

“Ne e kemi ditur me çka do të përballemi, si Kosovë, si popull dhe si Qeveri. Prandaj konsiderojmë që këto procese duhet ta forcojnë unitetin jo vetëm brenda koalicionit por edhe me opozitën dhe të gjithë faktorët tjerë relevant”, ka deklaruar më pas ministri i AAK.

Mes tjerash, Lekaj ka përsëritur qëndrimin e AAK-së dhe të kryeministrit Haradinaj në raporti me temat e ndjeshme që po përballet vendi.

“Qëndrimet tona edhe si subjekt por edhe qëndrimet e liderit tonë, kryeministrit të vendit, nuk janë të reja dhe nuk ndryshojnë në asnjë pikë e presje nga ato që i kemi patur dikur si opozitë në raport me temat e ndjeshme për vendin. Prandaj duhet të mos shikohemi asnjëri me tjetrin si kundërshtarë në zgjidhjen e këtyre temave. Kosova është shtet sovran dhe si i tillë duhet të marrë vendime që bazohen në Kushtetutën e vendit dhe ligjet e saj”, është shprehur Lekaj./FT/Lajmi.net/