Përbërja e ministrave të BDI-së, lë për të dëshiruar

BDI-ja publikoi emrat që do të jenë pjesë e kabinetit të kryeministrit Zoran Zaev. Ndër ta spikatin emra të vjetër dhe të rinj që nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e pushtetit ekzekutiv. 

Lajme

28/05/2017 17:46

Propozimi i BDI-së për Zëvendës-kryeministër për Sistem politik dhe marrëdhënie mes komuniteteve është Hazbi Lika. Lika që nga viti 2009 nuk ka qenë aktiv as në parti e as në jetën politike. Ai më herët ka ushtruar postin e kryetarit të Komunës së Tetovës. Në vitin 2003 ka qenë zëvendësministër i Brendshëm, periudhë që shquhet për punësimin e policëve shqiptarë me libreza partiake.

Propozimi për Zëvendës kryeministër për euro-integrime është Bujar Osmani. Osmani kohë të gjatë është zëdhënës i partisë ndërsa paraprakisht ishte Ministër i Shëndetësisë.  Osmani përmendej edhe në bombat e opozitës.

Nënkryetari i BDI-së dhe njëherësh kryetar i Komunës së Likovës, Sadulla Duraku është propozimi i BDI-së për Ministër të ambientit jetësor dhe planifikimit hapësinor. Paraprakisht Duraku ka drejtuar Ministrinë e Bujqësisë dy vite resht.

Ramiz Merko është propozimi i BDI-së për ministër pa portofol. Ndaj ish-deputetit dhe ish-kryetarit të Komunës së Strugës, Merko kohë më parë Prokuroria Publike ngriti padi për shpërdorim të mundshëm të detyrës zyrtare.

Në fakt Prokuroria Themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit nga ana e Drejtorisë së Policisë Financiare pranoi 5 padi penale ndaj pesë ish kryetarëve të komunave, mes të cilëve është edhe ai i Strugës, të cilët dyshohen për veprën e bërë- “Keqpërdorim i procedurës së thirrjes publike, ndarje e kontratës për furnizim publik ose partneritet publik – privat” që dënohen me Kodin Penal.

Me dikasterin e ekonomisë do të udhëheq Kreshnik Bekteshi. 32 vjeçari, Bekteshi ka ushtruar funksionin e promotorit ekonomik në Bruksel dhe Bern. Ndërsa me dikasterin e drejtësisë do të udhëheq Bylent Salihu. Salihu fillimisht ka qenë drejtor në Ndërmarrjen Publike Komunale në Vrapçisht, pastaj drejtor në Inspektoratin e Gjuetisë dhe Pylltarisë së Maqedonisë, shkruan AlsatM.

Propozimet e BDI-së për ministra

Hazbi Lika- Zv/kryeministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie midis Komuniteteve;

Bujar Osmani- Zv/kryeministër për Cështje Evropiane;

Sadulla Duraku- Ministër i Ambientit jetësor dhe Planifikimit Hapësinor;

Ramiz Merko- Ministër pa portofol;

Kreshnik Bekteshi- Ministër i Ekonomisë;

Bylent Salihu- Ministër i Drejtësisë

Megjithatë kreu i BDI-së, Ali Ahmeti dha garanci se këto emra janë të përshtatshëm për t’i realizuar reformat që ka premtuar qeveria e re, veçanërisht reformat në drejtësi.

“Sigurisht që për opinionin ndoshta janë të panjohur, për ju mediumet, por Bylent Salihu nëse e ke fjalën për ministrin e drejtësisë është pesë vjet drejtor i Inspektoriatit të pyjeve që ka të bëjë kryesisht me çështje ligjore, me ligjin, me Kushtetutën, me të gjitha. Qeveria ka mandate 4 vjet dhe unë mendoj që do të jetë një mandate i vështirë, por me një përfundim të mirë”, deklaroi  Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Ahmeti nuk përjashtoi mundësinë që partitë e tjera të shumicës parlamentare të mos votojnë propozimet e BDI-së, pasi sipas tij, kjo është e drejtë e tyre.