Përballje gjykatash për urdhrin e ndalim-udhëtimit në SHBA

Departamenti i Drejtësisë në SHBA, i ka kërkuar Gjykatës së Lartë të bllokojë vendimin e një gjykate më të ulët lidhur me urdhrin e ndalimit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Bota

15/07/2017 14:26

Sipas urdhrit të Trumpit, përkohësisht ndalohet hyrja e refugjatëve dhe udhëtarëve në SHBA, nga gjashtë vende me shumicë myslimane si, Irani, Jemenim, Siria, Libia, Somalia, dhe Sudani.

Ndalimi mund të mos aplikohet për personat nga këto vende që kanë lidhje familjare apo marrëdhënie të mira me kompani në SHBA.

Sipas urdhrit të administratës Trump, gjyshërit, axhallarët, hallat dhe kushërinjtë nuk konsiderohen lidhje familjare dhe u ndalohet udhëtimi në SHBA.

Mirëpo një gjykatë në Honolulu ka marrë vendim më 13 korrik për lejimin e hyrjes në SHBA, për këto kategori që sipas urdhrit të Trumpit nuk konsiderohen lidhje familjare.

Shteti i Havajit e ka sfiduar definicionin e administratës Trump për familjen, sipas të cilët vetëm prindërit, fëmijët dhe bashkëshortët janë kategori që u lejohet hyrja.

Sipas gjykatës në Honolulu, administrata e ka keqinterpretuar urdhrin e Gjykatës Supreme.

Mirëpo adiministrata e Trumpit ka thënë se gjykata e ulët “ka shtjerrur të gjitha kuptimet e vendimit të Gjykatës Supreme duke tentuar të detyrojë SHBA-në, të pranojë jo vetëm anëtarët e familjes “së ngushtë”, por të gjithë anëtarët e familjes”.