Përballja Direkte

Isa Mustafa dhe Shpend Ahmeti do të takohen për herë të parë, drejtpërdrejt, në një debat televiziv, të premten, në RTK. Të dy kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Këtu nis përballja e tyre e parë në balotazhin e Prishtinës.

Lajme

06/11/2013 15:23

Isa Mustafa e Shpend Ahmeti do të jenë për herë të parë, ballë për ballë, këtë të premte, në një debat zgjedhor, të organizuar nga Televizioni Publik i Kosovës (RTK).

Gara për Prishtinën do të jetë jashtëzakonisht e fortë, e gjithashtu edhe debati i parë midis ty pretendentëve për ta udhëhequr Kryeqytetin në katër vjetët e ardhshme pritet të jetë i fortë, në ballafaqimin e parë direkt.

Të dy kandidatët kanë konfirmuar praninë e tyre në debatin e të premtes.

“Sapo më telefonoi RTK për një debat me kandidatin Mustafa të premten në ora 20:30 live. Unë do të jem aty!”, ka njoftuar në Facebook, Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes, duke konfirmuar pjesëmarrjen e tij.

Burime brenda RTK’së kanë konfirmuar për lajmi.net edhe pjesëmarrjen e Isa Mustafës në këtë debat.

Kryetari aktual i Prishtinës, Isa Mustafa, nuk i është përgjigjur asnjë debati parazgjedhor para raundit të parë të zgjedhjeve. Ai nuk ka pranuar asnjë ftesë të televizioneve për të dalë përballë 8 kandidatëve tjerë që garuan për Kryeqytetin.

Të dy kandidatët janë shprehur të bindur në fitoren e tyre, më 1 dhjetor, kur qytetarët do t’u drejtohen sërish kutive të votimit.

Ata kanë filluar ta ngacmojnë qysh tash njëri-tjetrin nga distanca. Mustafa e ka akuzuar Ahmetin se ka ndarë votuesit në urbanë dhe ruralë, ndërsa Ahmeti ka thënë se Mustafën e ka kapur paniku i humbjes.

E premtja do të sjellë përballjen më të fortë mediale që është zhvilluar për Prishtinën deri tash.